Lajmet

Telefonatat “shqetësuese” për marketing, Komisioneri ndëshkon një kompani pas ankesës

Nga: PCWorld
Publikuar , 14 Shtator 2022
Pikërisht këtë ka bërë Komisioneri pas një ankimimi që ka marrë nga një qytetar në Tiranë i cili është ankuar për telefonatat e bëra nga një kompani që tregton pajisje shtëpiake. Telefonatat “shqetësuese” për marketing, Komisioneri ndëshkon një kompani pas ankesës

Telefonatat që kanë qëllime marketingu duke iu bërë oferta klientëve duket se kanë futur në telashe një kompani ndaj të cilës Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave ka vendosur të marrë masa administrative si dhe të ndalojë praktikën e përpunimit të të dhënave.

Pavarësisht përpjekjeve të bëra viteve të fundit për të ndalur “vrullin” e kompanive që preferojnë të ndjekin këtë model marketimi të produkteve të tyre, kjo formë mbetet një nga më të përdorurat duke u kthyer në shqetësim të vazhdueshëm. Pak vite më parë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Komsioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personave u angazhuan për ta ndalur këtë si fenomen e vetmja “mundësi” që u mbeti në dorë ishte dënimi me masa administrative.

Pikërisht këtë ka bërë Komisioneri pas një ankimimi që ka marrë nga një qytetar në Tiranë i cili është ankuar për telefonatat e bëra nga një kompani që tregton pajisje shtëpiake.

Në këtë kuadër, me qëllim verifikimin e pretendimeve te ankuesit, nga hetimi administrativ rezultoi se, numri +355442…, i referuar nga ankuesi, është numër në përdorim të kontrolluesit, nëpërmjet të cilit është realizuar marketing i drejtpërdrejtë, në mënyrë të paligjshme. Në lidhje me bazën e të dhënave që përdoret nga kontrolluesi me qëllim marketingu, u konstatua se nuk ka një sistem të mirëfilltë të dhënash por, sipas deklarimeve të tij, përdoren numra të publikuar në motorin e kërkimit “Google”, për reklamim produktesh.

Kontrolluesi kryen marketing të drejtpërdrejtë, nëpërmjet numrave të telefonit sipas mënyrës se sipërcituar, por, për këtë qëllim nuk aplikon/provon marrjen e pëlqimit për të kontaktuar subjektet e të dhënave, duke vepruar në kundërshtim me gërmen “a” të pikës 1 të nenit 6 të Ligjit” parashtrohet në vendimin e Komsionerit.

LEXO EDHE:  Mbyllet një prej tregjeve të zeza online më të mëdha në botë

Zyra e Komisionerit vlerëson se, përpunimi i të dhënave personale të subjekteve të të dhënave, të cilët nuk kanë dhënë pëlqimin paraprak dhe të shkruar për përpunimin e të dhënave të tyre për qëllime marketingu, pavarësisht mënyrës së gjenerimit të të dhënave është në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë të sanksionuar në kuadrin ligjor.

Për të qenë në rregull me klientin që telefonojnë kompanitë duhet të kenë të shkuar pëlqimin apo rënien dakord nga tjetër në mënyrë që kjo të mos përbëjë shkelje. Numri i ankimimeve pranë Komsionerit për rastet e përpunimit të të dhënave në mënyrë të paautorizuar janë rritur vit pas viti dhe kjo lidhet më shumë me ndërgjegjësimin. Institucioni administroi 1354 ankesa nga qytetarët, një rritje prej mbi 30% në raport me vitin 2020 dhe në këtë numër bëjnë pjesë edhe ato për rastet e telefonatave.

/Monitor