Biznes

Telefonia fikse dhe interneti, ALBtelecom dominon por operatorët e tjerë po mbyllin hendekun

Nga: PCWorld
Publikuar , 06 Korrik 2020
0
Numri i pajtimtarëve që kanë akses në shërbime të integruara arriti në 262 mijë nga ku 88 mijë kanë telefoni fikse dhe internet, 107 mijë telefoni fikse, internet dhe TV dhe afro 70 mijë kanë internet dhe TV. Telefonia fikse dhe interneti, ALBtelecom dominon por operatorët e tjerë po mbyllin hendekun

Në tremujorin e parë të 2020-ës u raportuan 181 sipërmarrës të komunikimeve elektrike, një rënie krahasuar me 212 në tre mujorin e katërt të 2019-ës sipas raportit të fundit publikuar nga AKEP.

Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në fund të periudhës Janar-Mars 2020 ishte rreth 238 mijë, një rënie me 2.06% krahasuar me tre mujorin e fundit të 2019-ës dhe 4.8% krahasuar me një vit më parë.

 

Në total numëroheshin 430 mijë pajtimtarë me akses në internet broadband përmes rrjeteve fikse, një rënie me 1.3% krahasuar me tremujorin e kaluar dhe rritje me 14.5% krahasuar me një vit më parë.

Prej tyre 40.9% kanë paketa të integruara telefoni, internet dhe TV, 33.6% paketa Internet dhe Telefon dhe 25.5% Internet dhe TV.

ALBtelecom është ofruesi më i madh i telefonisë dhe internetit fikse në Shqipëri. Nga 238 mijë linja të telefonisë fikse, 174 mijë i përkisnin ALBtelecom ose 73.3% ndërsa operatori më i afërt Tring Communication dhe ka vetëm 34 mijë.

Në internetin fiks ALBtelecom gjithashtu ka numrin më të lartë të pajtimtarë prej 132 mijë edhe pse jo me diferencën që ka në telefoni fikse. Operatori i dytë më i madh ABCom, blerë së fundi nga operatori celular më i madh në vend Vodafone Albania, numëron 80 mijë pajtimtarë. Tring Communication ka 53 mijë pajtimtarë, Abissnet 40 mijë, Digicom 19 mijë, Nisatel 14 mijë dhe operatorë alternativë 88 mijë. ALBtelecom zotëron 30.8% të këtij tregu.

Numri i pajtimtarëve që kanë akses në shërbime të integruara arriti në 262 mijë nga ku 88 mijë kanë telefoni fikse dhe internet, 107 mijë telefoni fikse, internet dhe TV dhe afro 70 mijë kanë internet dhe TV. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Nga muaji Shkurt operatorët celularë rrisin çmimin e paketave me parapagesë