Biznes

Telekom Albania ndryshon emrin

Nga: PCWorld
Publikuar , 28 Korrik 2020
0
Sipas depozitimit të bërë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të bërë në datën 27 korrik, emri i subjektit nga “Telekom Albania” bëhet “One Communication”, ndërsa emri tregtar nga “Telekom Albania” bëhet “ONE”. Telekom Albania ndryshon emrin

Telekom Albania, operatori i dytë më i madh i telefonisë celulare në vend ka ndryshuar emrin e tij tregtar. Sipas depozitimit të bërë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të bërë në datën 27 korrik, emri i subjektit nga “Telekom Albania” bëhet “One Communication”, ndërsa emri tregtar nga “Telekom Albania” bëhet “ONE”.

Ndryshimi i emrit erdhi më shumë se një vit pasi kompania u ble nga shqiptaro-bullgarët e  “Albania Telecom Invest AD”. Deri tani, kompania kishte përdorur markën tregtare “T”, të aksionerit të mëparshëm “Deutsche Telecom” shkruan Monitor.

Krahas ndryshimit të emrit, kompania ka miratuar pasqyrat financiare dhe ka vendosur që të shpërndajë një dividend në total prej rreth 4 milionë euro, nga të cilat 2.2 milionë euro janë divident për fitimet e vitit 2019 dhe 1.8 milionë euro i përket fitimeve të viteve të kaluar.

Fitimi neto për vitin 2019 është 268.6 milionë lekë (rreth 2.2 milionë euro), ndërsa fitimi gjithëpërfshirës ishte 1.16 miliardë lekë.

Operatori i telefonisë celulare i është rikthyer fitimeve pas disa vitesh me humbje të mëdha. Sipas bilancit të vitit 2018, humbja në 2017-2018 ishte mesatarisht rreth 39-40 milionë euro.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në tremujorin e parë 2020, Telekom Albania kishte 990.6 mijë përdorues aktive, me një rritje prej 4.1% në raport me fundin e 2019-s, duke e renditur atë në operatorin e dytë më të madh në vend, pas Vodafone, me 38% të tregut, sipas numrit të operatorëve aktive.

Të ardhurat e Telekom Albania për vitin 2019 ishin 8.2 miliardë lekë, sipas AKEP, nga gati 8.8 miliardë lekë, që u raportuan në vitin 2018, sipas bilancit zyrtar.

LEXO EDHE:  Procesorët e rinj të AMD për laptopët thyejnë hegjemoninë e Intel