Biznes

Telekomi i Kosovës mes privatizimit dhe falimentimit

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 04 Shkurt 2020
0
Telekomi i Kosovës i ishte nënshkruar në të kaluarën dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri proces nuk është finalizuar me sukses. Telekomi i Kosovës mes privatizimit dhe falimentimit

Telekomi i Kosovës, dikur kompania më profitabile në vend, që nga viti 2015 po vazhdon të përballet me probleme të mëdha financiare dhe operative.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik nga përbërja e kaluar e Qeverisë së Kosovës Valdrin Lluka, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se rruga e vetme për shpëtimin e Telekomit nga kriza financiare në të cilën është futur është privatizimi.

Sipas tij, Telekomi nuk mund të vazhdojë të operojë si i tillë, pasi që ka humbje të mëdha vjetore dhe atë deri në 15 milionë euro në vit. Megjithatë, ai thotë se i mbetet qeverisë në ardhje të vendos se si do t’i qaset kësaj ndërmarrje.

“Privatizimi është rruga e vetme dhe e duhur për Telekomin e Kosovës, ashtu siç edhe kam menduar që nga fillimi, ashtu siç edhe kemi filluar procedurat, ashtu siç kemi pasur edhe ndihmë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilët na kanë dhënë një grant për financimin e ristrukturimit të Telekomit dhe përgatitjes së kompanisë për privatizim. Ky proces është duke ndodhur, mirëpo me politikën në ardhje nuk jam i sigurt se sa do të ec tutje ky proces”, thotë Lluka.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

Një privatizim i mundshëm po kundërshtohet nga Sindikata e Punëtorëve të Telekomit të Kosovës. Lamih Balaj, kryetar i kësaj sindikate, thotë për Radion Evropa e Lirë se privatizimi në këtë kohë është i gabuar.

“Pse duhet të shkohet në privatizim në këtë fazë kur Telekomi po përballet me probleme financiare të cilat mund të zgjidhen. Telekomi ka qenë një kompani me një vlerë mbi 1 miliard euro. Po tentohet të privatizohet Telekomi në mënyrë që të mbyllet krimi që është bërë në këtë ndërmarrje. Nuk do të lejojmë privatizimin. Telekomi mund të kthehet në treg në rast se qeveria që vjen nuk e proklamon falimentimin, por kërkon përgjegjësi nga menaxhmenti”, thotë ai.

LEXO EDHE:  Opsioni i ri i Instagram ka qenë një domosdoshmëri prej kohësh

Telekomi i Kosovës sipas Sindikatës së Punëtorëve është futur në krizë financiare si pasojë e mosmenaxhimit të duhur, nënshkrimit të kontratave të dëmshme dhe keqpërdorimeve të shumta që janë bërë ndër vite.

Së fundmi, Telekomi i Kosovës ka kërkuar ndihmë nga Qeveria e Kosovës në një vlerë prej 5 milionë euro. Kjo ndihmë është kërkuar për rritje të kapitalit si masë emergjente e detyrueshme për të siguruar funksionimin normal të Telekomit.

Megjithatë, në mbledhjen e fundit të qeverisë në detyrë të Kosovës, kjo kërkesë e bordit të Telekomit të Kosovës nuk është aprovuar për shkak të, siç është thënë, nuk ka mjete aktualisht që mund t’i ndahen kësaj ndërmarrjeje.

Qeveria e Kosovës, në janar të vitit të kaluar pati marrë vendim që të privatizohet kjo kompani. Ndërsa në gusht të vitit 2019, kishin filluar takimet me kompaninë Detecon International GmbH dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Sipas projeksioneve të Qeverisë së Kosovës, privatizimi përfshinë pjesën vendimmarrëse të Telekomit, me rreth 51 për qind, duke qëndruar aksionarë për pjesën tjetër.

Valdrin Lluka thotë se privatizimi do të krijonte edhe për Qeverinë e Kosovës të ardhura financiare si dhe shërbime më të mira për konsumatorët.

“Po flasim për privatizim duke biseduar me brende ndërkombëtare, siç kam qenë në bisedime, siç kanë treguar interesime, si telefonia gjermane, austriake dhe kompani tjera, prandaj nëse shkohet në një rrugë të tilla, kjo jo vetëm që përmirëson gjendjen financiare të Telekomit, por edhe qeveria duke mbetur si aksionare, do të përfitojë më shumë nga devidenta në të ardhmen si dhe qytetarët do të kenë shërbim më të mirë të telefonisë mobile, përderisa operohet nga një kompani ndërkombëtare”, thotë Lluka.

LEXO EDHE:  G20 vendos rregulla për monedhat dixhitale si Facebook Libra

Aktualisht shton Lluka nuk mund të dihet vlera e saktë që mund të ketë Telekomi i Kosovës, por sipas tij, pasuria më e madhe që ka Telekomi dhe që ia rrit vlerën për privatizim, është numri i madh i klientëve që ka kompania dhe atë mbi gjysmën e tregut në vend.

Telekomi i Kosovës i ishte nënshkruar në të kaluarën dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri proces nuk është finalizuar me sukses.

Në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos- Capital” ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh. Por, i gjithë procesi ishte anuluar më pastaj. /REL