Biznes

Telekomi i Kosovës ndërpret kontratën me Z-Mobile

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 30 Korrik 2019
0
Telekomi i Kosovës ndërpret kontratën me Z-Mobile

Telekomi i Kosovës e ka shpallur të përfunduar kontratën me kompaninë Z-Mobile, të cilën e kishte vlerësuar si shumë të dëmshme. Kjo kontratë ishte nënshkruar para 10 vjetësh, kurse afati i skadonte pikërisht të martën, më 30 korrik.

Kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri-Berisha në një konferencë për media tha se kontrata më Z-Mobile është ndërprerë. Deri te ky vendim, sipas saj, erdhi pas një periudhe gjashtë mujore të negociatave në mes Telekomit dhe kompanisë Z-Mobile në lidhje me kushtet e reja kontratës, por në fund palët nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje.

Edhe kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, tha se pas dështimit të negociatave, kontrata me Z-Mobile shpallet e përfunduar dhe pa asnjë obligim kontraktual.

Ai ndërkaq ka njoftuar konsumatorët që shfrytëzojnë shërbimet e Z-Mobile, se për ta, nuk do të paraqitet asnjë problem.

“Të gjithë konsumatorët që shfrytëzojnë shërbimet e Dardafon (Z-Mobile) të mos bien në panikë, sepse në bashkëpunim në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) jemi duke punuar ngushtë të zbatojmë edhe fazën e tranzicionit që do të zgjasë nga 30 deri 120 ditë”, tha Istrefi.

Deri më tani, Z-Mobile nuk ka reaguar fare në lidhje me këtë vendim të Telekomit.

Në kundërshtim të vazhdimit të kësaj kontrate vazhdimisht kanë qenë edhe punëtorët e Telekomit, të cilët qe dy ditë kanë mbajtur grevë të përgjithshme. /Radio Evropa e Lirë

LEXO EDHE:  Analisti zbulon çmimin e telefonit buxhetor të Apple

Lajmet e fundit>