Biznes

Tenderimi elektronik si masë parandaluese e korrupsionit

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 23 Dhjetor 2019
0
Tenderimi elektronik si masë parandaluese e korrupsionit

Ofertat e tenderimit publik në Kosovë që nga fillimi i këtij viti janë duke u bërë vetëm përmes platformës elektronike, thonë përfaqësues të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Një formë e tillë, ishte rekomanduar nga Bashkimi Evropian dhe shoqëria civile, si një nga mënyrat më efikase për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin me tenderë.

Sami Uka, anëtar i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), thotë për Radion Evropa e Lirë se është hequr opsioni i dorëzimit të ofertës fizike, pasi që tashmë pranohen vetëm ato elektronike.

“Prokurimi elektronik në formën 100 për qind ka filluar nga 1 janari i vitit 2019, ndërsa si proces ka filluar dy vite më parë. Nga janari i këtij viti nuk ka më prokurim në letër, gjithçka është elektronik. Të gjitha procedurat që mund të zhvillohen përmes prokurimit elektronik zhvillohen online”, thotë Uka.

Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Vetëm në vitin 2018, sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, janë nënshkruar 12.412 kontrata publike të udhëhequra me një vlerë prej rreth 700 milionë eurosh.

Prokurimi publik në raportet vendore dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në Kosovë. Një vlerësim i tillë ishte dhënë vazhdimisht në raportet e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian.

Shumica prej bizneseve në vazhdimësi kanë pasur ankesa të shumta për parregullsitë që ndodhin gjatë procesit të tenderimit publik.

Në një studim të bërë së fundi nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është theksuar se korrupsioni është shumë i pranishëm në aktivitetet e prokurimit publik, por 91 për qind e bizneseve të anketuara besojnë se prokurimi elektronik do të ndihmojë në luftimin e këtij fenomeni

LEXO EDHE:  Sezoni i dytë i Apex Legends i bën armët më të fuqishme

Aplikimi i prokurimit elektronik, duke eliminuar në tërësi atë fizik, thotë Sami Uka, ka minimizuar mundësinë e keqpërdorimit dhe korrupsionit.

“Kudo në botë është e vërtetuar që përdorimi i prokurimit elektronik minimizon mundësinë e keqpërdorimit, pasi që fillimisht eviton kontaktet fizike përmes operatorëve ekonomikë me zyrtarët, pastaj është mundësia e heqjes së dokumenteve apo dyshimeve për ndryshim të gjërave në tenderim. Të gjitha këtë parregullsi janë minimizuar skajshmërisht dhe nuk ka asnjë mundësi të tillë që më herët kanë mundur të jenë objekt i keqpërdorimeve dhe korrupsionit”, thotë ai.

Ekspertët e çështjeve financiare thonë se nga korrupsioni në prokurim, është dëmtuar buxheti i shtetit dhe janë ofruar shërbime jo të mira nga operatorët ekonomikë, të cilët nuk kanë qenë të profesionalizuar për punët që kanë kryer.

Milazim Abazi, ekspert i çështjeve financiare, thotë për Radion Evropa e Lirë se vetëm prokurimi elektronik nuk eliminon korrupsionin apo keqpërdorimet në tenderimin publik.

“As prokurimi elektronik nuk mund ta luftojë korrupsionin. Korrupsioni luftohet nëse vetë sistemi, vetë njerëzit që e bëjnë sistemin, janë të vendosur ta luftojnë korrupsionin. Njerëzit e korruptuar në çdo lloj metode sillen të korruptuar, qoftë edhe me sistemin elektronik të prokurimit. Duhet reformë më e thellë në prokurimin publik sesa prokurimi elektronik”, thotë Abazi.

Prokurimi publik përmes platformës elektronike krahasuar me atë fizik siç ka qenë në të kaluarën, konsiderohet të jetë më i qasshëm.

Prokurimi elektronik nënkupton aplikimin online dhe jo atë fizik për një tender të caktuar.

Nëse në një ofertë të tenderimit operatori ekonomik është dashur të paraqitet fizikisht me gjithë dokumentacionin e nevojshëm tek institucioni që ka shpallur tender publik, tani të gjitha i kryen përmes platformës online. Aty mund të njoftohen me kushtet e tenderimit, të marrë informacione dhe të njoftohet për vendimet deri edhe te përzgjedhja e operatorite konomik për një tender të caktuar. /REL

LEXO EDHE:  Teknologjia e informacionit, trend në rritje me nevojën për kuadro të reja

Tags >

Kosova
Lajmet e fundit>