Lajmet

Thaçi prezanton strategjinë për privatizimin e PTK-së

Publikuar , 27 Korrik 2010
0
Thaçi prezanton strategjinë për privatizimin e PTK-së

“Qeveria, Kuvendi, institucionet e Kosovës nuk po bëjnë asgjë më shumë se që ka bërë bota demokratike. Kosova është e fundit në Evropën Juglindore që i hyn këtij procesi të vonuar e me pasoja ekonomike. Andaj Qeveria vlerëson se tani është koha për futjen e kapitalit privat në PTK”, është shprehur z.Thaçi.

Kryeministri ka bërë të ditur se fitues i tenderit për privatizimin e PTK-së do të jetë ofertuesi me çmimin më të lartë, dhe pavarësisht se kush do të jetë fitues, punëtorët do të vazhdojnë të punojnë, së paku për katër vjet të tjera.

“Ne si Qeveri jemi të përkushtuar që punëtorët e PTK-së të mos dëmtohen nga ky proces dhe për këtë e kanë garancinë e plotë edhe timen personalisht edhe të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Duke garantuar se procesi i privatizimit të PTK-së do të jetë fer dhe transparent, kryeministri Thaçi ka shprehur bindjen se vendimi për privatizim të këtyre aseteve është në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe në të mirë edhe të vetë kompanisë

Kryeministri Thaçi ka thënë se duhet shkëputur nga nostalgjia e së kaluarës, nga e kaluara e ekonomisë centraliste dhe të prapambetur.

Ramë Buja shef i GP të PDK-së ka thënë se privatizimi është logjikë kohe, por duhet të bëhet kujdes i shtuar dhe ky kujdes kërkon sqarime plotësuese.

Kurse, Ismet Beqiri, shef i GP të LDK-së, ka theksuar se vendimi për privatizimin e PTK-së nuk duhet të merret nën presionin e kohës, pa u analizuar dhe pa u sqaruar mirë ky proces.

Ndërkohë, i vetmi përfaqësues i deputetëve të opozitës që ka folur para ligjvënësve ishte Ardian Gjini, ndërkohë që deputetët tjerë opozitarë kanë lënë sallën. Gjini ka thënë se Qeveria e Kosovës po sjellë konfuzion me këtë strategji, në të cilën nuk jepen shifra se sa fiton apo sa humb Kosova me privatizimin e PTK-së.

LEXO EDHE:  Huawei prezanton zëvendësuesin e Android, "HarmonyOS"

“Mos sillni konfuzion, por sjellna shifra, sa fitojmë t’i mbajmë, sa fitojmë t’i shesim këto asete. Vetë deputetët e pozitës nuk janë në seancë dhe kjo dëshmon sesa ka mbështetje Qeveria. Qeveria duhet ta miratojë këtë strategji, jo opozita, as mos prisni. Nëse nuk mundet atëherë ta rishikojë Qeverinë e vetë dhe të shikojë a ka mbështetje popullore për ta miratuar këtë strategji”, ka thënë Gjini.

Opozita e cila ka bojkotuar këtë seancë ka mbajtur një konferencë për media në hollin e kuvendit, duke dhënë arsyet e saj për mospjesëmarrje në seancë dhe duke dhënë arsyet pse kundërshton privatizimin e PTK-së.

Ndërkohë, kundërshtime për privatizimin e PTK-së kanë ardhur edhe nga ligjvënësit e pozitës, të cilët nuk janë shprehur kundër privatizimit si proces, por kanë kundërshtuar mënyrën e përshpejtuar të privatizimit të PTK-së.

Privatizimi i PTK-së është kundërshtar dje përmes një proteste edhe nga Sindikata e Punëtorëve të PTK-së.

Lajmet e fundit>