Lajmet

The Guardian: Disa këshilla të dobishme për sigurinë e kompjuterëve me sistem Windows XP

Publikuar , 13 Prill 2014
0
The Guardian: Disa këshilla të dobishme për sigurinë e kompjuterëve me sistem Windows XP

winxpproShumë përdorues të Windows XP po hasin vështirësi tashmë që Microsoft i ka dhënë fund suportit për këtë sistem, por pavarësisht kësaj një pjesë e mirë e tyre nuk kanë dëshirë të instalojnë një sistem të ri.

Për këtë arsye, gazeta britanike The Guardian ka menduar të ofrojë një guidë të dobishme për të siguruar një kompjuter me sistem Windows XP në kushtet aktuale. Sigurisht, në këtë rast është e këshillueshme që kompjuterët XP të mos kenë akses ndaj internetit, por kjo nuk është e mundur duke qenë se çdo përdorues e ka të nevojshme që për një kohë të caktuar të qëndrojë online. Për këtë arsye The Guardian është fokusuar tek disa zgjidhje të tjera.

Një sugjerim i dobishëm për ata persona që qëndrojnë shpesh online është përdorimi i kompjuterit nëpërmjet një llogarie tjetër që nuk ka të drejta administratori. Kjo do të thotë se ju nuk mund të bëni gjithçka që mundeni kur e aksesoni si administrator, por kjo masë do të limitojë dëmin që mund të shkaktojnë hakerët në kompjuterin tuaj. Një prej arsyeve kryesore do të ishte pamundësia për të instaluar softuerë të reja duke qenë se jeni përdorues me të drejta të kufizuara.

Një rekomandim tjetër i The Guardian është navigimi nëpërmjet shfletuesve Firefox ose Chrome dhe jo nëpërmjet versioneve të vjetra dhe jo të sigurta të Internet Explorer të cilët përputhen me sistemin XP. Është gjithashtu e këshillueshme që në shfletuesin tuaj të instaloni shtojcën HTTPS Everywhere në mënyrë që të siguroheni se çdo informacion që dërgoni në uebfaqe të ndryshme të jetë i kriptuar.

Së fundmi, The Guardian rekomandon shmangien e uebfaqeve të dyshimta dhe sidomos të atyre që ofrojnë muzikë apo filma piratë. Në qoftë se ndiqni me përpikmëri këshillat e mësipërme atëherë është e mundur që të vazhdoni të punoni me kompjuterin tuaj XP, në të kundërt do të ishte më mirë të përditësoni sistemin tuaj operativ. (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  SHBA shpallin firmën Kineze kërcënim për sigurinë kombëtare

Lajmet e fundit>