Ja se si

Thjeshtoni jetën tuaj

Publikuar , 24 Shkurt 2010
0
Thjeshtoni jetën tuaj

Teknologjia do të duhej të bënte jetën tonë më të lehtë, pse pra po duket që është duke bërë të kundërtën? Nëse jetoni në një shtet të tejngarkuar me teknologji, kemi disa zgjidhje për ju. Këto udhëzime të mençura do t’ju tregojnë si të udhëtoni më mençur, të kurseni para në gjërat që ju nevojiten, të kurseni kohën dhe përpjekjet, të eliminoni kokëçarjet rreth PC-së dhe të dhënave tuaja dhe të menaxhoni materialet multimediale. Rruga për shtetin themelor të shekullit 21 fillon këtu, tani!


Gjeni ulësen më të mirë në aeroplan
• Mundi: Minimal
• Kostoja: Falas
Edhe për udhëtarët sezonalë, udhëtimet e gjata me aeroplan janë të mundimshme. Çelësi kryesor që të kaloni sa më mirë është të gjeni një ulëse të mirë. SeatGurur (www.seatguru.com) është shërbimi falas që ju ofron pamjen virtuale të koduar me ngjyra të çdo aeroplani, që t’ju ndihmojë të gjeni një ulëse me hapësirë të përshtatshme për këmbët dhe me burime të afërta elektriciteti, që të shmangni përhapjen e kabllove tuaja në aeroplan, si dhe ulëse të cilat nuk janë shumë afër njëra-tjetrës.
*Këshillë bonus: Nuk jemi duke ju thënë që të bëni ndonjë problem me ulësen në aeroplan (ose me ndonjë pasagjer), por nëse dëshironi që ta parandaloni personin para jush që të lakojë ulësen e tij, vendosni një shishe uji mes tabakasë së ngrënies dhe ulëses para jush.

Lirohuni nga kontrata e parapagimit të telefonit
• Mundi: Mesatar  
• Kostoja: Falas
Nuk jeni duke marrë atë që dëshironi nga telefoni celular, por ngurroni të ndani ca para për tarifën e anulimit? Drejtoni web shfletuesin tuaj në Cellswapper (www.cellswapper.com), faqe në të cilën mund ta kaloni kontratën tuaj të telefonit celular te dikush që e dëshiron. Të themi, për shembull, që nuk merrni shërbimin që dëshironi, por ju kanë mbetur edhe pesë muaj kontratë. Me Cellswapper mund të listoni pakon tuaj dhe ta përdorë dikush tjetër, i cili do të pëlqente shërbimet e mira nga ai operator dhe do të ishte i lumtur të merrte kontratën tuaj për kohën e mbetur. Ju fitoni lirinë tuaj përsëri dhe personi tjetër merr një ofertë të mirë pa taksa aktivizimi.

Udhëtoni mençur
Rezistojini udhëtimit të gjatë
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: Falas
Ajo që ju dëshironi është të uleni dhe të shihni disa filma në udhëtimin tuaj tejoqeanik 6-orësh, por shikimi i DVD-ve do ta shpenzojë baterinë e laptopit para se të fillojë ndjekja e parë me vetura në film. Zgjidhja? Kopjojini filmat në hard diskun tuaj dhe shikoni me më pak shpenzim të baterisë. Shkarkoni HandBrake (find.pcworld.com/62914), përdoreni për të kopjuar DVD në hard diskun e kompjuteri tuaj dhe pastaj transferojini në laptopin tuaj, që të keni një kinema lëvizëse. Nëse nuk dëshironi të merreni shumë me përshtatjen e kopjimeve të DVD-ve, provoni bitRipper (www.bitripper.com) për një kopjim me një klik.

Lehtësoni çantën e udhëtimit
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: Falas
Nëse pritja e gjatë te shiriti i bagazheve nuk është arsye e fortë për të reduktuar bagazhin tuaj, taksat shtesë për kontrollin e çantave të mëdha (rreth 25$) do t’ju shtyjnë të ndryshoni planet tuaja të udhëtimeve. Nëse jeni duke u munduar që të keni vetëm një çantë me vete, lejoni One Bag (www.onebag.com) që t’ju ndihmojë. Faqja ofron mjaft këshilla për paketimin e gjërave, duke përfshirë sugjerimet se çfarë duhet të paketoni, si duhet t’i paketoni dhe metodat për t’i palosur, mbështjellë dhe sistemuar gjërat, që gjithçka të vendoset brenda çantës.

Rrini kudo të lidhur
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: periudha testuese falas
Nganjëherë kryerja e punëve (ose e lojës) kur jeni larg shtëpisë varet nëse mund të gjeni ndonjë rrjet Wi-Fi. Fatmirësisht ka shumë mundësi të gjeni Wi-Fi shumë shpejt. Së pari, nëse dyshoni se do të mbeteni pa internet, JiWire Wi-Fi Finder (find.pcworld.com/62920) indekson lidhjet Wi-Fi me pagesë dhe falas në gjithë globin. Nëse jeni në ndonjë vend të banuar, aktivizoni telefonin tuaj me Wi-Fi dhe kërkoni ndonjë hotspot.

Zgjidhja më e mirë do të ishte që të përdorni telefonin tuaj të mençur për të bërë lidhjen. PdaNet (www.junefabrics.com) është një aplikacion që kushton 29$ dhe punon me Android, BlackBerry, iPhone, Palm OS dhe Windows Mobile për të lidhur laptopin tuaj në internet me anë të lidhjes USB ose Bluetooth. Vetëm sigurohuni që keni pakon me transferim të lartë, që të shmangni pagesat e larta nga operatori juaj.

Bashkëpunoni në grup
• Mundi: Mestar
• Kostoja: Falas
Bashkëpunimi me kolegët mund të thjeshtojë jetën, por rregullimi dhe koordinimi mund të kompleksojë rrjedhën e punës suaj. Disa vegla online falas kanë opsione bashkëpunimi pa stres dhe ju mund të filloni të punoni menjëherë. Google Apps (find.pcworld.com/62921) ofron vegla për e-mail të centralizuar (Gmail), kalendar (Google Calendar) dhe dokumente (Google Docs) që bashkëpunojnë me një intervenim minimal. Nëse jeni duke kërkuar diçka që i ngjan më shumë mbledhjes, shikoni Vyew (vyew.com/site), shërbim falas (me mundësi avancimi), i cili ofron konferenca online në web, tabela të bardha, shkëmbim skedarësh dhe të tjera brenda dhomës së mbledhjeve virtuale.

Shikoni të dhënat tuaja në udhëtim
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: Falas
Në udhëtime mund ta keni laptopin me vete gjatë gjithë kohës, por nëse harroni ndonjë skedar të rëndësishëm ose nëse ju duhet të keni akses në ndonjë gjë tjetër në desktopin tuaj përderisa jeni në ndonjë udhëtim, provoni të mirënjohurin LogMeIn (find.pcworld.com/62922). Me një llogari falas, mund të kontrolloni kompjuterin tuaj nga distanca, nga rehatia e cilido web shfletuesi. Me llogarinë LogMeIn Pro mund të përdorni edhe opsionin drag-and-drop për të transferuar dhe sinkronizuar skedarët si dhe shumë tipare të tjera praktike.

Gjeni një restorant të mirë në rrugë
• Mundi: Minimal
• Kostoja: Falas
Ju me siguri përdorni web faqen Yelp kur kërkoni ndonjë gjë të mirë për të ngrënë në qytetin tuaj. Përfitoni njësoj edhe kur jeni në ndonjë udhëtim me aplikacionin Yelp për iPhone ose iPod Touch (find.pcworld.com/62923). Ky aplikacion do të përcaktojë vendndodhjen tuaj momentale dhe automatikisht do të tregojë rezultatet bazuar në atë se çfarë gjendet më afër jush. Nëse nuk keni akses në internet, nxirrni telefonin dhe shkruani një tekst mesazh me tekstin Coffee në Google (466453), duke shkruar edhe vendndodhjen tuaj. Do të merrni më pak opsione, por më mirë pak se hiç fare.

Mënyra të lehta për të kursyer para
Blini biletat e evenimenteve më lirë
• Mundi: Minimal
• Kostoja: Varet nga evenimenti
Ticketmaster mund të jetë mbret për biletat e evenimenteve, por kur Ticketmaster nuk mund të ofrojë rezultatet që dëshironi, ende keni shumë opsione të tjera. Përveç metodave të zakonshme si Craiglist dhe eBay, do të ishte mirë të shihni edhe Seat Karma (www.seatkarma.com), një faqe kërkimi e cila hulumton shitësit e biletave dhe do t’ju gjejë ulëset më të mira me çmime të mira për çdo eveniment sportiv, koncerte dhe shfaqje të tjera, komplet me hartat e ulëseve.

Reduktoni faturat periodike
• Mundi: Minimal
• Kostoja: Falas
Nëse kjo ekonomi e turbullt ju ka bërë të brengoseni për financat tuaja, një gjë mund t’ju qetësojë mendjen: kompanitë që ofrojnë kabllorin tuaj, internetin dhe shërbimet e tjera mujore janë të brengosura sa edhe ju. Ky është lajm i mirë për ju.

Mënyra më e lehtë e reduktimit të faturave tuaja mujore? Vetëm pyesni. Telefononi kompaninë kabllore, shpjegojini se shërbimi është shumë i shtrenjtë për ju dhe dëgjoni se si zyrtari i kompanisë mundohet t’ju mbajë në kompaninë e vet si klient. Bëni detyrat gjithashtu: nëse një kompani konkurrente ka ofertë më të mirë, tregojani operatorit tuaj aktual. Mos u mërzisni nëse nuk keni fat me herën e parë. Provoni përsëri më vonë dhe personi tjetër me të cilin bisedoni do të jetë më i gatshëm që të bëjë kompromis. Nëse operatori juaj momental ende nuk po lëviz, do të ishte më mirë ndoshta të kaloni tek oferta promocionale e operatorit tjetër.

LEXO EDHE:  Ja sesi të publikoni në Instagram nga një kompjuter Windows dhe Mac

Derisa jeni aty, provoni të njëjtën metodë me borxhin tuaj në kartën e kreditit. Ashtu si kompanitë e telekomit mundohen t’ju mbajnë si konsumatorë, edhe kompanitë e kartave të kreditit janë duke u munduar maksimalisht të mbajnë debitorët që të mos falimentojnë. Nëse bilanci i kartës suaj të kreditit ju ka vënë me shpatulla në mur, telefononi kreditorët tuaj dhe tregojuni gjendjen tuaj. Në fund, mund të largoheni me falje të 70 për qind të borxhit tuaj për një çmim shumë të ulët pasi të bisedoni me kompaninë tuaj rreth gjendjes suaj financiare.

Kuptoni nëse kompania ka probleme financiare
• Mundi: Minimal
• Kostoja: Falas
Edhe nëse keni investuar mjaft në treg ose jeni të interesuar të filloni me aksione nga e para, këto janë kohë të vështira dhe vështirë se ndonjë kompani ka dalë nga telashet. Para se të hulumtoni, përdorni fuqinë e internetit që të keni një ide se cilat kompani janë afër kolapsit. Vendosni një Google Alert (google.com/alerts) për cilëndo kompani që jeni të interesuar dhe do të merrni lajmërimet automatike kurdo që Google gjen ndonjë lajm të ri ose ndonjë postim në blog rreth asaj kompanie. Në këtë mënyrë, nuk do të jeni i fundit që do të kuptoni se aksionet tuaja në bursë janë në rrezik.
Për më tepër, lexoni blogje si The Consumerist (consumerist.com), që të keni një ide rreth kompanisë.

Kurseni para me Online Banking
• Mundi: Minimal
• Kostoja: Taksë nominale (varësisht nga banka)
Nëse nuk keni vepruar ende kështu, rregulloni pagesat automatike të faturave përmes bankës suaj online dhe derisa jeni aty, sigurohuni që do të përdorni ndonjë program shpërblimi për kursim parash, si për shembull programi për kursime Keep the Change në Bank of America (find.pcworld.com/62918).

Disa nga bizneset me të cilat punoni mund të mos pranojnë pagesa online përmes bankës suaj, por shumica e bankave mundësojnë të dërgoni një çek të shtypur në afatin e caktuar. Kështu, me disa pagesa të vogla, shërbimet lokale mund të bëhen punë automatike dhe pa stres.

Gjeni pije falas
• Mundi: Minimal
• Kostoja: Falas
(plus kostoja e pijeve)
Harxhimi i 10$ për një koktej në ndonjë qendër të madhe e bën natën më të komplikuar se ç’është. Por ju mund të gjeni pije të mira dhe të lira pa kërkuar gjithë qytetin: MyOpen Bar (myopenbar.com) përmbledh promocionet e pijeve falas në gjithë Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu ofron edhe analiza për pijet që ofron, kështu që mund të planifikoni vizitën tuaj sipas qejfit.

Konsolidoni identitetin tuaj online
• Mundi: Mesatar   
• Kostoja: Falas
Mes blogut tuaj, Facebook, Twitter dhe – nëse me të vërtetë jeni i popullarizuar – faqes në Wikipedia, do të jetë e vështirë t’i thoni ndokujt “shko në këtë URL, ky jam unë”. Web faqja UnHub (unhub.com) ju ndihmon ta zgjidhni këtë problem. Shërbimi ju lejon të krijoni një faqe të thjeshtë me shirit profili, i cili lidhet me faqet që kanë lidhje me ju në internet. Pa marrë parasysh cilën faqe shokët tuaj vizitojnë, shiriti i profilit UnHub qëndron në pjesën e sipërme, kështu që secili vizitor mund të kalojë mes faqeve tuaja online. Ajo që është më e mira, ju nuk duhet të azhurnoni secilën faqe kurdo që shtoni ndonjë rrjet social në listën tuaj.

Mbroni fëmijët tuaj
Prindërit duhet të kenë gjithë qetësinë e mendjes që mund ta kenë. Ja dy mënyra të thjeshta që të largoni disa nga brengat që mund të keni për fëmijët e pasionuar pas kompjuterit.

Mbroni fëmijët online
• Mundi: Mesatar      
• Kostoja: Falas
Nuk mund të shpenzoni ditët dhe netët tuaja duke shikuar pas krahëve të vajzës apo djalit tuaj, kështu që përdorni ndonjë softuer të thjeshtë që do ta kryejë punën për ju. Interneti është i mbushur me makina kërkimi të dizajnuara të ofrojnë ndërfaqe të përshtatshme për fëmijë – dhe më e rëndësishmja – rezultate kërkimi të përshtatshme për fëmijët. Faqja e kërkimit KidRex (www.kidrex.org), për shembull, përdor Google SafeSearch dhe bazën e të dhënave të veta të fjalëve dhe përmbajtjeve jo të përshtatshme për të ofruar gjëra të pastra. Web shfletuesi falas KidZui (find.pcworld.com/62919), në kontrast, është shfletues i orientuar për fëmijë, duke i zbavitur ata me ndërfaqe interesante dhe duke i mbrojtur me të gjitha mjetet mbrojtëse të integruara.

Limitoni kohën e lojërave për fëmijët
• Mundi: Mesatar     
• Kostoja: 40$
Mbrojtja e fëmijëve tuaj nga këndet e errëta në internet mund të duket shumë e thjeshtë në krahasim me vështirësinë e limitimit të kohës që shpenzojnë në Xbox 360 të tyre. Që të gjeni zgjidhje, ju preferoj të kërkoni asistencë nga Time Machine (find.pcworld.com/62917), një vegël e dobishme që shërben për të mbajtur fëmijët tuaj larg televizionit. Time Machine transformon platformat e video lojërave në makina të vjetra lojërash, duke kërkuar xhitonë që i lejojnë fëmijët të luajnë për një kohë të paracaktuar. Kur t’ju harxhohet koha e blerë, Time Machine e ndal lojën. Sa ju duket efektive kjo?

Unifikoni numrat tuaj të telefonit
• Mundi: Minimal    
• Kostoja: Falas (në këtë moment)
Mbani mend ditët kur linjat fikse ishin shumë në modë dhe kushdo që dëshironte t’ju gjente do të duhej të merrte vetëm në një numër? Sot me siguri keni një telefon personal celular, celularin e punës dhe nga një linjë fikse në punë dhe shtëpi. Papritmas, të  kontaktoni është bërë më e komplikuar. Me ofertat e fundit të Google, Google Voice (www.google.com/voice), kjo do të ndryshojë. Shërbimi eliminon shumë telefona duke krijuar një numër qendror që cingëron në të gjithë telefonat tuaj – dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut. Google Voice gjithashtu përkrah rregullat për drejtimin e telefonatave, transkripton porositë me zë dhe dërgon një kopje në inboxin e e-mailit tuaj.

E kemi përdorur Google Voice për më shumë se një vit (që kur është njohur si Grand Central), por për momentin është i mbyllur në beta. Nëse nuk dëshironi të prisni që Google Voice beta të hapet, mund të përdorni përparësitë e porosive me zë nga YouMail (www.youmail.com).

Thjeshtoni jetën tuaj online
Reduktoni profilin tuaj online që të siguroni privatësinë tuaj
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: Falas
Interneti është një vend i shkëlqyer për shkëmbimin e jetës suaj me familje ose shokë, por nëse nuk i kushtoni vëmendje asaj që po shkëmbeni, ajo mund të kthehet në një ankth privatësie. Mund të bëni shumë që të mbroni veten tuaj. Nëse jeni në Facebook, për shembull, mësoni rregullimet e privatësisë. Mund të caktoni se çfarë dëshironi të transmetoni në botë. Kur përdoren me kujdes, opsionet ofrojnë kontroll serioz mbi detajet e asaj që ekspozohen në faqe. Një opsion i mirë për të ndryshuar është opsioni i kërkimit, i cili ju lejon të kufizoni se sa informacion mund të shohin njerëzit para se t’i shtoni në listën e shokëve. (Për më shumë rreth opsioneve të Facebook, shikoni Vëzhgim Sigurie.)

Nëse keni provuar shumë rrjete sociale gjatë viteve, është ide e mirë që të ktheheni dhe të fshini apo të mbyllni llogaritë e vjetra të neglizhuara, të cilat do të shfaqen në rezultatet e Google, por nuk portretizojnë sjelljen tuaj profesionale, të cilën e keni kultivuar me mund.

Përfundimisht, vendosni një faqe të thjeshtë që të merrni një rol aktiv në determinizmin se çfarë do të shohin njerëzit nëse kërkojnë për ju. Një opsion i vlefshëm është Google Profile (google.com/profiles), e cila ju jep një mënyrë për të kontrolluar praninë tuaj në web (edhe pse në teste tona nuk është renditur aq lart sa kemi pritur në rezultatet e kërkimit).

LEXO EDHE:  Ja sesi të aktivizoni automatikisht "Dark Mode" në iOS 13

Azhurnoni blogun tuaj
• Mundi: Minimal      
• Kostoja: Falas
Është e vështirë të gjeni një pjesë të softuerit të Microsoft-it që tejkalon konkurrencën ku interneti është i përfshirë, por nëse dëshironi të shkruani blog, nuk mund të gjeni shoqërues më të mirë se Windows Live Writer (find.pcworld.com/62925). Aplikacioni i përshtatshëm mund të inkuadrohet brenda platformave të popullarizuara për blog, si Blogger dhe WordPress, duke drejtuar procesin e shkrimit me një kontroll gjuhësor të inkuadruar, vegla për editim fotografish dhe të tjera. Gjithashtu përkrah vendosjen e shtesave në llogarinë tuaj Flickr, Twitter dhe në faqen e njohur sociale Digg.

Ruani fjalëkalimet tuaja
• Mundi: Mesatar      
• Kostoja: Falas
Nëse përdorni fjalëkalim të ndryshëm për çdo llogari online që posedoni (ashtu do të duhej), koka juaj do të eksplodojë. Me siguri do të përdorni një apo dy fjalëkalime të njëjta për të gjitha faqet, e cila është histori e rrezikshme sigurie që mund të ndodhë. Që të qetësoni mendjen dhe të mirëmbani sigurinë tuaj, përdorni ndonjë menaxher fjalëkalimesh.

KeePass Password Safe (find.pcworld.com/62926) është menaxher fjalëkalimesh falas me kod të hapur burimor, i cili monitoron të gjitha fjalëkalimet në web faqe, numrat e kartave të kreditit, numrat e ID-ve, kodet e regjistrimit të softuerit dhe detaje të tjera. Aplikacioni mund të plotësojë automatikisht identifikimet dhe fjalëkalimet tuaja përmes shfletuesit kurdo që vizitoni ndonjë faqe ku keni llogari. Ndoshta tipari më i mirë është se vegla mundet të gjenerojë automatikisht fjalëkalime të ndryshme me siguri të lartë. Gjithçka që duhet të mbani mend është fjalëkalimi që hap fuqinë e KeePass.

Twitter më i organizueshëm
• Mundi: Minimal   
• Kostoja: Falas
Çdokush është duke folur rreth faqes Twitter këto ditë, por me gjithë popullaritetin shumë të madh të shërbimit, ndërfaqja kaotike nuk ndihmon shumë që ta lehtësojë punën me të. Nëse dëshironi të keni përvojë më të mirë në Twitter, provoni klientin falas të Twitter, TweetDeck (find.pcworld.com/62924). Aplikacioni paraqet tweet-et e shokëve tuaj, thekson fjalët tuaja, monitoron kërkimet dhe ka vegla për shkurtimin e linqeve, vendosjen e fotografive dhe të tjera.

Nëse dëshironi ta mbani shikimin se çfarë Twitosfera ka për të thënë, por nuk dëshironi ta kontrolloni në mënyrë konstante, regjistrohuni në TweetBeep (tweetbeep.com), shërbim që ju dërgon përmbledhjen ditore të posteve të Twitter bazuar në kriteret e caktuara prej jush; janë vetëm fjalët, pa kurrfarë ndërhyrjeje tjetër.

Lajmërimet e qeta të Facebook
• Mundi: Minimal    
• Kostoja: Falas
Edhe pse ka ankesa për ridizajnimin, Facebook është më i popullarizuar se kurrë më parë, duke kaluar 100 milionë përdorues aktivë online çdo ditë. Ky është lajm i mirë për Facebook, por kjo do të thotë që faqja e rrjetit social është dobësim i produktivitetit. Nëse inboxi juaj është i mbushur me lajmërime për etiketim të fotove tuaja, kërkesave të miqve dhe komente për statusin, shkoni tek rregullimet e Facebook Notification që ta rregulloni këtë proces. Nëse ende dëshironi t’i pranoni të gjitha lajmërimet, por nuk dëshironi që të shkojnë në inbox-in tuaj, provoni NutshellMail (nutshellmail.com), shërbim falas që ju dërgon e-mailat për aktivitetin tuaj në Facebook bazuar në orarin që ju i jepni.

Bëni lajmërim për një grup
• Mundi: Minimal    
• Kostoja: Falas
E-mail, Facebook dhe Twitter janë mrekulli kur dëshironi të dërgoni një lajmërim të shpejtë te shokët tuaj, por që ta dërgoni lajmërimin shpejt te grupet e tjera, këto nuk janë mënyrat më të mira. Shërbimi falas Tatango (tatango.com) është alternativë e shkëlqyer, e cila ju lejon të dërgoni masivisht SMS për grupet tuaja të komunikimit, duke e ditur që kontaktet tuaja do ta marrin në telefonat e tyre.

Organizohuni
Pastroni Windows-in
• Mundi: Minimal  
• Kostoja: Falas
Pranojeni! Duhet të bëheni më serioz sa i përket organizimit të PC-së suaj. Të fillojmë me dosjen e shkarkimit në Windows. Për përdoruesit e Firefox, shtesa Automatic Save Folder (find.pcworld.com/62931) është shtesë falas, e cila i ruan automatikisht shkarkimet në dosjen e preferuar të përdorur bazuar në prapashtesën e skedarit ose nga cila faqe ka ardhur. Që të përfitoni një funksionalitet të ngjashëm për gjithë kompjuterin tuaj Windows, përdorni Belvedere (lifehacker.com/341950), një aplikacion falas i krijuar që të sjellë rregullim automatik të ndarjes së skedarëve nëpër dosje. Pasi tashmë keni filluar të pastroni, ja edhe një këshillë: mund ta shpejtoni kompjuterin tuaj dukshëm duke larguar aplikacionet e panevojshme në startim.

Bëni me lehtësi fotografi të hatashme
• Mundi: Mesatar   
• Kostoja: Falas
Nuk ju duhet aparati prej 1000$ që të bëni fotografi mbresëlënëse. Me disa marifete që kanë dhënë rezultat dhe duke përvjelë mëngët, do të shihni një përmirësim dramatik të kualitetit të fotografive tuaja. Për fillestarët, nëse dëshironi të bëni fotografitë e shokëve tuaj, provoni të bëni fotografi sa më natyrale dhe shmangni të bëni poza. Derisa jeni aty, konsideroni aplikimin e rregullit të një së tretës kur merrni fotografitë tuaja. Imagjinoni dy linja horizontale dhe vertikale mbi fotografinë tuaj, kështu që do të keni nëntë kuti të barabarta. Pastaj vendoseni subjektin ose pikën fokale aty ku takohen këto pika. Nuk jeni të limituar te ky rregull, sigurisht. Gjëja më e mirë është se eksperimentimi tek aparatet dixhitale nuk ju kushton asgjë!

Rregulloni zyrën tuaj në shtëpi
• Mundi: Fillimisht i lartë, minimal pas një kohe      
• Kostoja: 350$
Zyra juaj në shtëpi është si parajsë për projektet tuaja personale dhe financat personale, por është e padobishme nëse nuk mund të gjeni asgjë nën një grumbull gjigant letrash. Që ta rregulloni këtë, duhet të bëni dy hapa: hidhni mbeturinat dhe skanoni dhe ruani ose shkatërroni pjesën tjetër.
Një skaner inteligjent letre si Fujitsu ScanSnap S1500 mund të pranojë çfarëdo grumbulli letrash në madhësi të ndryshme dhe të kthejë cilindo tekst në PDF të kërkueshëm në PC-në tuaj. Vetëm mblidhni të gjitha letrat që janë grumbulluar në tavolinën tuaj, vendosni në skaner dhe shtypni butonin Scan. Herën tjetër kur ju duhet të gjeni ndonjë faturë ose dëftesë, vetëm kërkoni në kompjuterin tuaj. Aty do ta keni përsëri gjithë hapësirën e tavolinës suaj dhe nuk do t’ju duhet kurrë të hulumtoni nëpër sirtarë të ndryshëm që të gjeni dokumentet tuaja financiare.

Gjeni cilindo skedar në PC
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: Falas
Edhe nëse i keni organizuar të gjithë skedarët në PC, ende ka mundësi që të humbni diçka në ambientin dixhital. Mund të përdorni kërkimin e desktopit me Google Desktop (desktop.google.com) ose, nëse përdorni Vista, mund të përdorni funksionalitetin Instant Search. Por do të dalim nga rruga e zakonshme dhe do të sugjerojmë Everything (find.pcworld.com/62932), një aplikacion falas për desktop, i cili i gjen skedarët tuaj në desktop derisa shkruani me shpejtësinë e dritës.

Zhdërvillni kabllot tuaja
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: 10$
A keni ndjekur udhëzimet e mësipërme që të largoni grumbullin e letrave? Bukur. Tavolina juaj do të dukej shkëlqyeshëm nëse nuk do të ishin kabllot e shëmtuara të çdo pajisje. IKEA shet shporta të lira për fshehjen e kabllove tuaja (find.pcworld.com/62929). Vendosini të gjitha kabllot nga e para duke i kaluar të gjitha nëpër shportë.
Po kështu mund të rregulloni një stacion karikues për telefonin tuaj celular, MP3 player dhe pajisje të tjera duke përdorur imagjinatën tuaj ose duke blerë produkte të dedikuara si Kingston Charging Valet (find.pcworld.com/62930).

Thjeshtoni dhe siguroni teknologjinë tuaj
Menaxhoni gjithë e-mailat nga një ndërfaqe
• Mundi: Minimal
• Kostoja: Falas
Shumica e njerëzve kanë akumuluar disa adresa e-maili të cilat nuk arrijnë t’i kontrollojnë njëherësh. Nëse jeni përdorues i Gmail, aplikacioni i Google është shumë i përshtatshëm për konsolidimin e disa adresave të e-mailit, kështu që nuk do t’ju duhet të identifikoheni në pesë llogari të ndryshme çdo ditë. Mund të rregulloni llogaritë tuaja që të drejtojnë porositë e pranuara në llogarinë tuaj në Gmail ose të përdorni opsionin “Get mail from other accounts”, i cili i importon automatikisht të gjitha porositë që pranoni në një inbox të centralizuar. Gmail ju lejon gjithashtu ta përdorni atë për të dërguar e-mail edhe në emër të adresave të tjera që nuk janë Gmail.
Nëse preferoni të punoni me mënyrën e Microsoft-it, Microsoft Windows Live Hotmail ju ofron mjaft funksionalitet të ngjashëm me Gmail, por në një ndërfaqe që ka pamje si Outlook.

LEXO EDHE:  Ja sesi të kaloni në fazën e katërt të Fortnite Prisoner

Sinkronizoni disa PC dhe telefona
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: Falas
Nëse keni telefon të mençur, desktop PC dhe laptop ose netbook, kjo do të thotë së paku tre vende të ndryshme ku ju mund të caktoni një afat në kalendarin tuaj, të editoni kontaktet tuaja ose të keni akses në skedarë të rëndësishëm pa pasur nevojë të brengoseni për t’i mbajtur të sinkronizuara të gjitha të dhënat tuaja. Google ju shpëton përsëri! Nëse jeni duke menaxhuar ditët tuaja në Google Calendar dhe jeni duke ruajtur kontaktet tuaja në aplikacionin Google Contacts, Google Mobile Sync (find.pcworld.com/62927) ofron lidhje pa tela dydrejtimëshe për sinkronizim të kalendarit dhe të kontakteve tuaja. Përdoruesit e Microsoft Outlook mund të provojnë Google Calendar Sync (find.pcworld.com/62928) për sinkronizmin dydrejtimësh të kalendarit. Përfundimisht, nëse sinkronizimi i ndonjë dosjeje ia vlen për skedarët që ka, hidhini një shikim Dropbox (www.getdropbox.com), shërbim falas që ju sinkronizon deri 2GB të dhëna mes kompjuterëve, internetit si dhe në iPhone ose iPod tuajin.

Fshini hard diskun e vjetër
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: Falas
Asgjë nuk mund ta komplikojë jetën tuaj sa vjedhja e identitetit. Kështu që para se të shisni PC-në tuaj të vjetër, mbani një gjë në mend: fshirja e skedarëve nuk garanton që gjithçka është në rregull dhe është zhdukur. Për ta fshirë hard diskun tuaj mirë, nuk mund të fshini vetëm skedarët në Recycle Bin dhe pastaj ta pastroni atë – do t’ju duhet të rishkruani të dhënat në atë disk gjithashtu. Do të mund ta shpjegonim teknikisht, por do t’ju drejtojmë tek Darik’s Boot and Nuke (www.dban.org), një aplikacion i cili fshin në mënyrë të sigurt çdo hard disk duke përdorur ndonjërën nga metodat. Pasi DBAN të bëjë punën e vet, mund të siguroheni që të gjitha të dhënat janë zhdukur.

Kontrolloni zbavitjen tuaj
Dixhitalizoni mediat tuaja analoge
• Mundi: Shumë
• Kostoja: Falas deri 60$
E kuptojmë që keni nostalgji për koleksionin tuaj analog, por nëse dëshironi të lironi hapësirë duke larguar pllakat e gramafonit dhe kasetat ose nëse dëshironi të krijoni arkiva dixhitale për titujt që keni, do t’ju mbulojmë. Së pari, mund t’i konvertoni pllakat ose kasetat duke lidhur pajisjet që punojnë me to në portin audio-in në PC dhe të regjistroni zërin me platformën Audacity (find.pcworld.com/62399). Nëse dëshironi të bëni dixhitalizimin e VHS-ve, do t’ju duhet të bëni blerje: ose duhet të blini një DVD Recorder dhe të përdorni VCR-në tuaj të vjetër si input ose mund të blini dhe të instaloni një kartë regjistrimi (si Hauppage WinTV HVR-1800 MCE) për kompjuterin tuaj dhe pastaj konektoni VCR-në tuaj me të.
Për më shumë detaje rreth konvertimit të materialeve analoge në skedarë dixhitalë konsultoni udhëzimet e Jackson West në find.pcworld.com/62935.

Eliminoni problemet me DRM
• Mundi: Minimal
• Kostoja: 40$
Industria e zbavitjes është e dëshpëruar se si të kontrollojë mënyrën e përdorimit të materialeve dixhitale, por ju vetëm dëshironi të kënaqeni me atë që keni paguar, kudo që jeni. Në shumicën e rasteve, heqja e DRM-ve nga mediat është e lehtë. Nëse keni shumë muzikë për të konvertuar, DRM Dumpster (find.pcworld.com/62934) e automatizon procesin duke përdorur CD të rishkrueshme. Ndryshe nga kjo, provoni Tunebite (www.tunebite.com), një aplikacion tjetër komercial i cili heq DRM nga çdo material multimedial që kalon nëpër të. Nuk dëshironi të paguani? Provoni trukun e vjetër: kopjojini skedarët e mbrojtur me DRM në CD dhe pastaj rikopjoni si MP3.

Fshini metashënimet nga muzika juaj
• Mundi: Minimal
• Kostoja: Falas
Për shkak të lidhjeve të forta me iPod dhe iPhone, iTunes mbetet një nga media player-ët më të popullarizuar në treg. Edhe ashtu, do të mund të ishte më i mirë. Në këtë rast, provoni TuneUp Companion (find.pcworld.com/62936). Ky aplikacion falas i skanon, identifikon dhe azhurnon automatikisht metashënimet me ballinat e albumeve, këngët shtesë, informatat për këngëtarin dhe albumin – duke e bërë më të lehtë gjetjen dhe ndërtimin e listave të këngëve dhe shijimin e disa prej ballinave të lezetshme.

Sinkronizoni iTunes në disa PC
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: 29$
Do të donit që libraria juaj në iTunes t’ju ndjekë pas ngado që shkoni, por iTunes nuk është aq i përshtatshëm? Në fakt, player i Apple është e kundërta e kësaj ideje. Ja ku del në pah SuperSync (supersync.com). Ky aplikacion komercial e sinkronizon automatikisht librarinë tuaj iTunes përmes disa kompjuterëve – edhe përmes internetit. Ai gjithashtu sinkronizon videot, listat e këngëve dhe shumë gjëra të tjera.

Nxirrni këngët nga iPod
• Mundi: Minimal
• Kostoja: Falas
iPod sot ka arritur kapacitete deri në 120GB. Apple është krenare se mund të vendosë deri në 30.000 këngë në atë pajisje. Fatkeqësisht njerëzve të Apple nuk ju intereson t’ju ndihmojnë për t’i nxjerrë këngët nga iPod. Thjesht, Apple dëshiron të dekurajojë të gjitha metodat e shpërndarjes së muzikës dhe që të mos shkoni në iTunes Music Store. Por keni shumë arsye legjitime që ta lëvizni muzikën nga iPod juaj në PC dhe ne me kënaqësi ju prezantojmë Pod to PC (podtopc.com) dhe Pod to Mac (podtomac.com), vegla falas të cilat e transferojnë me lehtësi dhe shpejtësi muzikën nga cilido iPod ose iPhone në cilindo kompjuter.

Shkëmbeni video dhe fotografi nga rruga
• Mundi: Mesatar
• Kostoja: Falas (aplikacionet); 50$ deri 100$ (Eye-Fi)
Nëse jeni admirues i faqes për shkëmbimin e fotografive Flickr, provoni Flickr Uploadr (www.flickr.com/tools), një aplikacion falas i cili e bën të lehtë ngarkimin, etiketimin dhe shkëmbimin e fotografive ose videove përmes Flickr. Nëse në vend të kësaj preferoni të punoni me programin e Google për menaxhimin e fotografive në desktop, Picasa do ta kryejë punën për shkëmbimin e fotografive përmes llogarisë tuaj në Gmail ose online me Picasa Web Albums (picasaweb.google.com). A jeni të gatshëm të kaloni edhe një hap më tutje? Merrni parasysh Eye-Fi (www.eye.fi): duket si një kartë memorieje SD e thjeshtë, por pas procesit të konfigurimit karta juaj Eye-Fi do të ngarkojë çdo fotografi ose video nga aparati juaj në PC, Flickr ose YouTube.

Përdorni netbook-un tuaj si Qendër Multimediale
• Mundi: Mesatar 
• Kostoja: Falas
Netbook-u juaj është i mjaft vogël sa mund ta merrni me vete ngado që shkoni, por me atë vjen edhe kapaciteti i vogël – që do të thotë se nuk ka shumë hapësirë që të mund të ruani të gjitha materialet tuaja multimediale. Të marrim parasysh se keni qasje në internet (është notebook, tek e fundit), pra mund të transmetoni çfarëdo materiali multimedial nga PC-ja në shtëpi në netbook-un tuaj me Orb (www.orb.com), një aplikacion falas i cili transmeton çdo media nga kompjuteri juaj virtualisht në pajisje të tjera – duke përfshirë Wii, iPhone gjithashtu dhe netbook.

Lajmet e fundit>