Lajmet

Tirana Startup Weekend gjatë kësaj fundjave

Publikuar , 17 Prill 2012
0
Tirana Startup Weekend gjatë kësaj fundjave

Startup Weekend është një aktivitet 54-orësh që zhvillohet gjatë një fundjave dhe shërben si platformë takimi mes programuesve, dizajnerave, reklamuesve, menaxhereve të produkteve, financierëve, insvestuesve potencialë dhe entuziastëve të teknologjisë në përgjithësi që mblidhen për të ndarë ide, për të formuar ekipe, për të lëshuar produkte dhe kompani të reja.

Për rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë aktivitet flet artikulli i postuar nga Shoqata Shqiptare për Teknologjinë e Informacionit (AITA), ku thuhet: “Akti i krijimit i cili zhvillohet gjatë fundjavës ndihmon pjesëmarrësit të mësojnë dhe të mos dëgjojnë vetëm për teori por të ndërtojnë e testojnë strategji. Rrjeti i pjesëmarrësve i cili përmban një kombinim ekspertësh, të rinjsh, njerëzish me ide e investuesish potencialë krijohet gjatë fundjavës dhe ofron mundësinë e shfrytëzimit afatgjatë për të gjetur një vend pune apo investorë të gatshëm për të mbështetur krijimin e një ndërmarrjeje që mundet të ofrojë një model të mire. Platforma  e ofruar jep mundësi për të mësuar një gjuhë të re programimi, për të fituar aftësi të reja. Ajo shërben edhe si pikë takimi me bashkëthemeluesit potencialë për një ndërmarrje të re dhe me vendimmarrës e personalitete me rëndësi në komunitet të cilat janë ftuar si mentorë apo anëtarë jurie.”

Sipas AITA-s, tashmë mbi 70 persona të moshave të ndryshme janë regjistruar me profilet e tyre dhe rreth 15 prej tyre janë shprehur se do të paraqesin ide inovative gjatë fundjavës, një pjesë prej tyre edhe duke e bërë me dije në pak fjalë se çfarë do të paraqesin konkretisht.

Gjatë të premtes në ora 17.00 pritet të bëhet hapja e kësaj ngjarjeje dhe për 54 orë rresht do të mund të shihni një maratonë të vërtet prej pesëdhjetekatër orëve të frymës inovative nga pjesëmarrësit.  Për të parë informacione rreth planit të paraparë për t’u zbatuar gjatë këtyre pesëdhjetekatër orëve klikoni këtu.

LEXO EDHE:  Shefi i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit thotë se qëndrimi i SHBA ndaj Huawei politikisht i motivuar

Çfarë pritet të ndodh gjatë kësaj fundjave?

Të premten: Idetë paraqiten në hapjen e aktivitetit nga individët pjesëmarrës të cilët në pak sekonda kohë duhet të jenë në gjendje të entuziazmojnë publikun për idenë e tyre. Të interesuarit afrohen rreth personave që sjellin ide dhe po kërkojnë për ndihmë në fusha të ndryshme: zhvillim, dizajn, marketing, financa. Grupet krijohen dhe fillojnë nga puna.

Të shtunën: Ekipet e krijuara forcojnë frymën e grupit dhe duke marrë ndihmë nga mentorët e aktivitetit zhvillojnë prototipe të cilat duhet të jenë gati deri të dielën pasdite.

Të dielën: Ekipet përgatiten gradualisht për prezantimin përfundimtar i cili ndodh para jurisë së përbërë nga sponsorët kryesorë. Juria vendos për idetë e përpunuara dhe të sjella në formën e prototipit para tyre dhe ndajnë çmimet.

Vlen të përmendet pjesëmarrja e këshilltarëve të ndryshëm si nga Kosova, Shqipëria ashtu edhe i atyre që vijnë nga Skocia, Kanadaja, Holanda, Shtetet e Bashkuara, dhe India. Për të parë më shumë informacione rreth asaj se kush do të marrë pjesë dhe një biografi të shkurtër të tyre se kush janë dhe me çka merren klikoni këtu.

Sponsorë kryesorë të kësaj ngjarje janë Ambasada e Norvegjisë, AITA dhe IKT Norge – Shoqata Norvegjeze e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.  Universiteti Evropian i Tiranës garantoi që në ditët e para mbështetje për projektin duke mundësuar zhvillimin e tij në mjediset e veta, mbështetje me infrastrukturë dhe staf teknik. Sponsorë të tjerë të rëndësishëm si Crimson Capital, DM Consulting, USAID Rritje Albania, Pro-TIK, 1Up, Universiteti Epoka, PC World Albanian dhe CIO, EasyPay do të mundësojnë çmime për ekipet dhe individët e talentuar të cilët janë pjesëmarrës në aktivitet.

LEXO EDHE:  Huawei do të prezantojë më 17 Dhjetor një telefon ma dizajn unik të kamerës selfie

Për më shumë rreth kësaj ngjarje mund të lexoni këtu./pcworldalbanian

Lajmet e fundit>