Biznes

Tre vjet me Eagle Mobile

Publikuar , 11 Mars 2011
0
Tre vjet me Eagle Mobile

Një ndër katër operatorët e telefonisë mobile në Shqipëri, Eagle Mobile po feston trevjetorin e pranisë së saj në tregun e Shqipërisë. Ky operator arriti të futet në treg në një moment mjaft të rëndësishëm dhe solli me vete çmime më konkurruese për operatorët tjerë, avantazhe për konsumatorët, investoi mbi 70 milion euro për tre vjet duke ofruar mundësi punësimi për mbi 1,000 profesionistë shqiptar, etj. Eagle Mobile tani ka një rrjet të përbërë nga 377 stacione dhe mbulon 91,2 për qind të territorit të Shqipërisë, dhe 98,1 për qind të popullsisë.

Sot Eagle numëron mbi 870 mijë konsumatorë në tërë Shqipërinë (një rritje prej 40 për qind krahasuar me 12 muaj më parë), ndërsa pritet që vitin e ardhshëm të ketë një rritje tjetër prej 18 për qind. Në vitin 2010 të ardhurat e Eagle Mobile krahasuar me të ardhurat totale të tregut janë rritur me 12 për qind, ndërsa një shifër tjetër që duhet përmendur është se 35 për qind e abonentëve të Eagle Mobile përdorin internetin në telefonat e tyre të mençur, dhe kjo përqindje po vazhdon të rritet.

Eagle Mobile gjithashtu thuhet se për herë të parë solli shërbime të vlerës së shtuar (VAS) për përdoruesit shqiptarë. Tani, në ditëlindjen e tretë, 14 për qind e të ardhurave të kompanisë vijnë nga shërbimet VAS. Super Riniring mbetet plani më i  mirë tarifor dhe më i përhapur tek konsumatorët e saj. Operatori Eagle është i përhapur mjaft shumë edhe për përdorim tek institucionet qeveritare në Shqipëri, tek kompanitë dhe individët tjerë. Kompania gjithashtu ka sjellë një koncept të ri reklamash në Shqipëri duke gjetur mbështetje tek aktorët e famshëm nga Hollywood-i si James Belushi.

LEXO EDHE:  Operatorët celularë Italianë paguan 6.5 miliardë euro për frekuencat 5G

Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, z. Ali Taskin shprehet se kompania është krenare me arritjet në një kohë kaq të shkurtër. “Ne nuk kemi frikë nga konkurrenca. Eagle Mobile është e hapur ndaj konkurrencës së ndershme, sepse ishte kjo kompani që e solli konkurrencën në sektorin e telekomunikacionit në Shqipërisë. ‘Shqiponja’ do të vazhdojë të sjellë çmimet, ofertat, si dhe teknologjinë më të mirë. Ne kemi dhe do të vazhdojmë të ofrojmë shërbimet më të mira. Natyrisht, do të vazhdojmë me projektet në kuadër të përgjegjësisë sociale të kompanisë sonë. Unë falënderoj shumë shqiptarët për besimin e tyre, përkrahjen dhe ngrohtësinë që kanë treguar ndaj Eagle Mobile. Falënderoj kolegët e mi në Eagle që janë duke punuar shumë për të sjellë më të mirën për anëtarët tanë të familjes Eagle” është shprehur z. Taskin.

Eagle Mobile edhe sot kur është duke festuar trevjetorin e saj ka theksuar gatishmërinë e saj për teknologjinë 3G dhe ka insistuar se tregu i Shqipërisë ka nevojë të jetë konkurrues dhe të ofrojë licenca për shërbime 3G edhe për të gjithë operatorët tjerë të interesuar.

Lajmet e fundit>