Vëzhgim

Triple core të rinj Phenom II X3: ku përdoren?

Publikuar , 11 Shkurt 2010
0
Triple core të rinj Phenom II X3: ku përdoren?

Përveç frekuencës së ulët që karakterizonte çdo Phenom të asaj periudhe dhe reflektohej në performancë nën nivelin e duhur,  tribërthamëshi i AMD ishte strukturalisht një quad core me njërën bërthamë të çaktivizuar dhe për konsumatorin ky produkt me “diçka mangët”, më tepër se një ofertë ishte një ofendim.

Në një botë ‘çift’
Koha kalon, sot procesorë si Phenom II 720 me 2.8GHz ofrojnë performancë të kënaqshme dhe frekuenca deri në 4 Ghz, por pyetja mbetet: A janë tri bërthama vërtet më mirë se dy? Matematika e thjeshtë thotë ”po”; një procesor me tri bërthama kryen 50% më shumë punë se një me dy të tilla, por në botën reale vetëm matematika nuk mjafton. Standardi i sotëm në pjesën më të madhe të PC-ve janë procesorët dual core, pra me dy bërthama dhe prania e tyre për konsumatorët shënohet që në vitin 2005. Tregu i programeve ka ndjekur rrjedhën e për pasojë pjesa më e madhe e programeve të sotme janë optimizuar për të përdorur vetëm dy bërthama apo procese paralele. Për këtë arsye, pjesa dërrmuese e lojërave si dhe shume versione të programeve profesionale nuk marrin teorikisht asnjë lloj përfitimi nga procesorët me katër apo më shumë bërthama, me përjashtim të shumë programeve të vizualizimit 3D apo të enkodimit audio/video.
E, pra, në një botë ku standardi minimal po kthehet në dy bërthama për procesor dhe performanca fillon me 4 apo dhe 8 procese të Core i7, pra ku çdo numër është çift, një procesor si Phenom II X3 është diçka e çuditshme, as mish as peshk, i vështirë për t’u klasifikuar. Kur shikoni një kompjuter të pajisur me një pjesë të tillë, lind natyrshëm pyetja: “A bën për mua?”

LEXO EDHE:  Çfarë është WiGig dhe ku ndryshon nga rrjetet tradicionale Wi-Fi?

Gjysmë bosh apo gjysmë plot?
Përgjigjja është po aq e thjeshtë sa ajo e dilemës së famshme të gotës; në varësi të këndvështrimit, një X3 është një dual core me një bërthamë më shumë apo një quad core me një më pak. Çmimi mbështet variantin e parë; një Phenom X3 apo PhenomII X3 sot shitet me çmime të krahasueshme me dual core të tjerë të Intel apo të vetë AMD-së dhe nëse për një ekstra të vogël kemi një bërthamë të tretë dhuratë, e vetmja çështje mbetet çfarë mund të bëjmë me të.
Fusha më e madhe ku duket se kjo vjen në ndihmë janë lojërat, sidomos ato më kërkueset për resurse, si: Crysis, Far Cry, Unreal Tournament 3, RaceDriver GRID, Assassins’ Creed etj., kanë përfitime të testuara me një Phenom II X3 krahasuar me një dual core të ngjashëm. Përfitimi sipas pak testeve të kryera është nga 0 deri në 7%. Megjithëse këto lojëra shfrytëzojnë në maksimum vetëm dy procese të procesorit tuaj, ato nuk janë e vetmja gjë që po ndodh në atë çast; sistemet e sotme operative përmbajnë qindra procese paralele relativisht intensive dhe pikërisht këtu hyn në skenë bërthama shtesë. Programet e ndryshme monitoruese apo optimizuese si dhe vetë gaxhetët e Windows Vista / 7 janë ‘parazitë’ me ndikim të konsiderueshëm në mbarëvajtjen e sistemit dhe me gjithë optimizimet e Windows 7, konsumi i resurseve do të vijë vetëm në rritje.

3 është më mirë se 2
Thënë kështu duket më se e qartë, por, siç ndodh shpesh në botën e kompjuterëve, teoria gënjehet shpesh nga praktika dhe është gjithmonë mirë të kontrollojmë. Pas një analize të shkurtër që i bëmë kësaj kategorie procesorësh, avantazhet e të pasurit një bërthamë të tretë janë më se të dukshme. Optimizimi i tejskajshëm i programeve për dy procese paralele sjell shpesh sot në ngopjen e burimeve dhe në dual core me performancë më të lartë. Lojërat moderne apo programet e enkodimit/dekodimit janë programuar për të shfrytëzuar në maksimum potencialin e dy proceseve paralele që në kohët e Pentium 4 me Hyperthreading dhe nuk është e pazakontë që këto aplikacione kaq kërkuese të hedhin K.O. edhe dual core më të fuqishëm në kompjuterët standardë. Bërthama e tretë e ofruar nga një Phenom II X3 e lehtëson këtë ngarkesë dhe do bëjë më të rrjedhshëm çdo proces tjetër të ekzekutuar paralelisht në programet më kërkuese; ajo kompenson diferencat e mundshme me procesorët më të fuqishëm me dy bërthama.
Lëvizja e AMD-së, që u prit me kaq skepticizëm, duket se në fund ka dhënë frytet e saj. Me procesin më të fundit 45nm, megjithëse në praktikë një quad core me një bërthamë të çaktivizuar, kategoria më e re në procesorët e buxheteve të ulëta duket se ka të gjitha gjasat për të dhënë një alternativë të vlefshme që i përgjigjet mirë mjedisit të programeve aktuale. Por se cili do jetë zhvillimi i mëtejshëm dhe efekti në treg, vetëm koha do ta tregojë.

LEXO EDHE:  Që nga 2010 tregu i kamerave ka rënë me 84%

Lajmet e fundit>