Lajmet

Triumfoi në Uplift Albania, me Ipervox çdokush mund të krijojë aplikacione zanore

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 23 Janar 2020
0
Juria e Uplift Albania zgjodhi Ipervox si startupin më të mirë të këtij edicioni ku u shpërblye edhe me çmimin prej 3,000-euro. Triumfoi në Uplift Albania, me Ipervox çdokush mund të krijojë aplikacione zanore

Pa një eksperiencë në programim apo dizajnim audio, jo çdokush mund të krijojë aplikacione zanore për Alexa e ta ndajnë me të tjerë.

Kështu nisi ideja inovative e shqiptarit Juxhin Radhima i cili kërkon ta bëjë të lehtë, me disa klikime, krijimin e aplikacioneve zanore për platformat virtuale si Amazon Alexa.

Startupi i themeluar prej tij quhet Ipervox dhe përbëhet nga një ekip prej pesë vetash: Juxhin Radhima, Armand Sheshori, Elsa Cara, Krisli Pulaj, Anisa Likmetaj dhe aktualisht gëzon partneritet me kompani lider si Amazon.

Juxhini është një sipërmarrës dixhital me disa vite eksperiencë në zhvillim softueri ndërsa kontakti i parë i tij me teknologjitë si Amazon Alexa filloi në moshën 16 vjeçare kur zhvilloi prototipin e tij të një roboti komunikimi në C++. Që prej 2016-ës ai i është dedikuar zhvillimit të aplikacioneve zanore me Voice Alexa.

Ai menaxhon një blog personal ku prodhon artikuj, video dhe kurse për të edukuar sipërmarrësit në përdorimin e teknologjive zanore dhe pse kanë rëndësi përpara se të themelonte Ipervox në 2019.

Ipervox së fundi u bë pjesë e Listës së Kampionëve të Alexa për 2020, një program i krijuar për të nderuar kontributorët më të mëdhenj të komunitetit Alexa së bashku me 25 startupe të tjera.

Gjenialiteti i Ipervox qëndron tek lehtësia e jashtëzakonshme në përdorim ku nuk kërkohet asnjë njohuri teknike. Aplikacioni eliminon hendekun e ekspertizës që nevojitet mes publikimit të përmbajtjeve në platformat vizuale si YouTube, Facebook, Instagram, Twitter dhe platformave zanore si Amazon Alexa.

Ipervox mund ta provoni falas përmes uebsajtit https://ipervox.com/. Ju mund të krijoni aplikacione zanore në gjashtë gjuhë të ndryshme: Anglisht, Italisht, Gjermanisht, Spanjisht, Frëngjisht dhe Portugeze.

LEXO EDHE:  Xiaomi prezanton smartfonin që nuk njeh rival në çmim dhe performancë

Përmbajtja mund të jetë tekst ose video ndërsa një komandë e përcaktuar nga përdoruesi do të startojë përmbajtjen.

Ipervox ju bashkua grupit të parë të startupeve të programit të akselerimit Uplift Albania në Nëntor së bashku me 6 startupe të tjera.

Pas dy muajsh workshop dhe trajnime intensive, startupet prezantuan më 20 Janar përballë një audience përbërë nga investitorë dhe anëtarë të komunitetit të teknologjisë dhe sipërmarrjes në Shqipëri.

Juria e Uplift Albania zgjodhi Ipervox si startupin më të mirë të këtij edicioni ku u shpërblye edhe me çmimin prej 3,000-euro. Gjithashtu Ipervox u përzgjodh nga një prej partnerëve të Uplift Albania, Tegeria, për të konkurruar në Konferencën Web Summit që do të mbahet në datat 2-5 Nëntor 2020 në Lisbonë.

Juxhini dhe ekipi i tij synon që Ipervox në 3-5 vitet e ardhshme të bëhet një lider në tregun global.