Biznes

Turqit të interesuar në PTK

Publikuar , 30 Korrik 2010
0
Turqit të interesuar në PTK

Blerjen e PTK-së nga një kompani turke nuk e përjashton as vetë drejtori ekzekutiv i Autoritetit për Komunikime Elektronike dhe Informacion nga Turqia, Tayfun Acarer. “Ndoshta ka ndonjë kompani turke që është e interesuar për Postën dhe Telekomin e Kosovës”, ka thënë Acarer, pas nënshkrimit të memorandumit.

Megjithatë ai ka shtuar se nuk mund të konfirmojë asgjë, pasi Autoriteti që përfaqëson, merret vetëm me rregullimin e tregut të telekomunikacionit dhe se për këtë qëllim është edhe në Kosovë. “Në Turqi, ky sektor është 99 për qind në duar të kompanive private. Ne i kontrollojmë punën e këtyre organizatave dhe i kemi organizuar ligjet tona dhe ata punojnë në bazë të atyre ligjeve”, tha Acerer, duke lënë të kuptohet se kjo duhet të ndodhë edhe me Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Sidoqoftë, Acerer nuk është duruar për të shprehur dashurinë e madhe që Turqia ndjen ndaj kosovarëve. Madje, ai ka përcjellë porosinë e kryeministrit turk, Tayyip Erdogan, i cili para ardhjes se delegacionit turk, u kishte bërë të fala kosovarëve. “Ne Kosovën e duam shumë, prandaj me këtë memorandum ne jemi këtu që t’u ndihmojmë”, ka theksuar ai.

Për me tepër, kjo marrëveshje me turqit në fushën e telekomunikacionit, vjen dy ditë pas miratimit në parim të Strategjisë për privatizimin e PTK-së.

Nga ana tjetër, kreu i ART-së, Ekrem Hoxha, thotë se tregu i telekomunikacionit në Turqi, është një treg shumë i avancuar dhe kjo marrëveshje, sipas tij, është në interes të Kosovës.  “Do të këtë programe të përbashkëta të zhvillimit të kapaciteteve brenda dy rregullatorëve në interes të të dy shteteve”, ka thënë Hoxha.

Mbështetje kësaj marrëveshjeje i ka dhenë edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Hysrev Ynler.

LEXO EDHE:  Kina i shpreh pakënaqësi ambasadorit amerikan për arrestimin e shefes së Huaweit

Ai ka thënë se në mes Turqisë dhe Kosovës ka një lidhje historike. Turqia, sipas tij, edhe para vitit 1999, e edhe pas luftës, e ka ndihmuar Kosovën. Në ketë drejtim, ambasadori turk e sheh edhe marrëveshjen në fushën e telekominkacionit.

“Telekomunikacioni gjithnjë po bëhet i rëndësishëm. Turqia ka ecur shumë në këtë rrugë dhe mendoj se me këtë marrëveshje të dy vendet do të ecin në rrugët të mbarë”, ka thënë ai.

Kohë më parë Gazeta Express ka kuptuar se kompanitë potenciale për ta privatizuar kompaninë publike telekomunikuese janë Turk Telecom dhe Deutche Telecom. Megjithatë, zyrtarisht emri i kompanisë që do t’i privatizojë 75 për qind të aksioneve në PTK, pritet të kuptohet në fund  të këtij viti.

Lajmet e fundit>