Lajmet

Universiteti Epoka do të organizojë Konferencën e Dytë Ndërkombëtare ISCIM 2013

Publikuar , 16 Gusht 2013
0
Universiteti Epoka do të organizojë Konferencën e Dytë Ndërkombëtare ISCIM 2013

banerNë fund të muajit shtator Universiteti Epoka do të organizojë Konferencën e Dytë Ndërkombëtare Kompjuterike të Informatikës dhe Matematikës (ISCIM 2013).

Ajo do të mbahet nga data 26 shtator deri më 28 shtator në ambientet e këtij universitetit. Konferenca synon të sjellë së bashku pjesëmarrës nga bota akademike, qeveritare si dhe industria, të cilët promovojnë dhe punojnë për të rejat e fundit në aspektin kërkimor në informatikë, inxhinieri dhe matematikë kompjuterike.

Lista e temave do të jetë e larmishme, duke filluar nga konceptet, kërkimet, standardet, implementimet, eksperimentet e aplikuara, rastet studimore në industri si dhe aplikacionet. Në konferencë do të marrin pjesë jo vetëm akademikët, të cilët kanë mundësi t’i paraqesin publikut artikujt dhe publikimet e tyre, por njëkohësisht edhe ekspertët e fushave të mësipërme, të cilët do të kenë shansin të ndajnë me audiencën përvojën e tyre përmes fjalimeve apo sesioneve të planifikuara gjatë eventit. Konferenca do të shërbejë gjithashtu si një pikëtakim mes gjithë pjesëmarrësve, të cilët do të kenë mundësi të krijojnë kontakte me profesionistë nga fusha të ndryshme të informatikës.

Përveç prezantimit të artikujve, në programin e konferencës janë përfshirë edhe disa fjalime nga ekspertë të njohur europianë. Dy prej tyre janë Peter van Emde Boas nga Universiteti i Amsterdamit në Holandë si dhe Derviş Karaboğa nga Universiteti Erciyes në Turqi. Prof. Peter van Emde Boas do të flasë mbi fillesat dhe evolucionin e Pemëve vEM, një strukturë të dhënash që është shpikur nga vetë ai dhe grupi i drejtuar prej tij në vitin 1975. Prof. Derviş Karaboğa, si ekspert i inteligjencës artificiale, do të mbajë një fjalim lidhur me “Të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e kolonive artificiale të bletëve – Algoritmi ABS,” i cili është një algoritëm i optimizuar bazuar në sjelljen e bletëve.

LEXO EDHE:  Instalohet e-Kiosku i katërt në Prishtinë

Në konferencë nuk do të mungojnë as të ftuarit e nderit, si Dr. Luigi Laura nga Universiteti La Sapienza i Romës, i cili do të flasë mbi grafet dhe integrimin e tyre në RAM, Dr. Loukas Georgiadis nga Universiteti i Janinës në Greqi i cili do të referojë po ashtu mbi algoritmet e grafeve dhe prakticitetin e tyre si dhe Dr. Silvio Pardi nga “European Grid Infrastructure” i cili do të flasë mbi Grid Computing.

Informacione më të detajuara mbi konferencën mund të gjenden në faqen zyrtare të saj, http://iscim.epoka.edu.al/. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>