Lajmet

Universiteti Politeknik i Tiranës përuron sallën e re të IT-së

Publikuar , 06 Maj 2010
0
Universiteti Politeknik i Tiranës përuron sallën e re të IT-së

Kryeministri Sali Berisha përuroi gjatë ditës së djeshme në mjediset e Universitetit Politeknik të Tiranës, sallën e re të IT-së, të financuar nga kompania Eagle Mobile me mbështetjen e fakultetit. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për inaugurimin e kësaj salle bashkëkohore, e cila është dëshmi e një përpjekje të madhe të fakultetit dhe të bujarisë së kompanisë Eagle Mobile për të modernizuar mësimdhënien në këtë universitet.

Duke përgëzuar dekanen dhe trupin pedagogjik të fakultetit për punën e madhe që kanë bërë, kryeministri theksoi se të gjitha përpjekjet e qeverisë, mundi dhe djersa e pedagogëve të këtij fakulteti, do të mund të valorizohen dhe të marrin vlerat e veta vetëm kur studentët të qëndrojnë në lartësinë e ambicieve pozitive që ata kanë.

“Nuk ka asgjë më të rëndësishme për të ardhmen e këtij sektori jetik, përcaktues më shumë se çdo sektor tjetër për të patur një Shqipëri tjetër se sa ambiciet tuaja, imagjinata juaj. Ne ju garantojmë se do të bëjmë çdo përpjekje tu mbështesim ju, të mbështesim projektet tuaja”, tha kryeministri Berisha.

“Për ne rëndësi të jashtëzakonshme ka që fakultetet e teknologjisë së informacionit të shndërrohen në qendra të fuqishme të kërkimit shkencor. Në qendra të fuqishme të studimit të softuerit, në mënyrë që kjo degë të zhvillohet harmonishëm, të marrë të gjithë vrullin për të cilin ne kemi nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër” theksoi z. Berisha.

Kryeministri tha se ka një fushë ku ne duhet të jemi ambiciozë për të tejkaluar vende të zhvilluara dhe kjo është IT, teknologjia e informacionit.

“Historia ka provuar se kjo mund të arrihet. E kanë arritur vende dhe sot janë në krye të listës si Estonia dhe do ta arrimë dhe ne”.

LEXO EDHE:  Autoritetet Gjermane ndalojnë shitblerjen e aksioneve të huazuara në Wirecard

Berisha kujtoi faktin se katër vjet më parë kemi patur një tregues të penetrimit të internetit ndër më të ulëtit të botë 4.8 për qind. “Sot pas katër vitesh kemi një tregues prej 32 %. Duhet që në tre vjet të kapim dhe të tejkalojmë mesataren e vendeve anëtare të BE, por këtu përcaktuese janë përpjekjet tona të përbashkëta”, – përfundoi kreu i Shtetit të Shqipërisë. /noa

Lajmet e fundit>