Disa përdorues të shërbimit me kontratë të telefonisë mobile ofruar nga operatori mobil në pronësi të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Vala, kanë raportuar pranë redaksisë së PCWorld Albanian se u janë dërguar faturime të pasakta përgjatë periudhës Qershor-Korrik.
Një foto e një SMS-je dërguar pranë redaksisë së PCWorld lidhur me ngjarjen shkruhej: “Faleminderit për shfrytëzimin e shërbimit VALA, ju njoftojmë që për të shfrytëzuar numrin +377xxxxxxx edhe pas datës 12.07.16 luteni të paguani borxhin prej xxx Euro.”
Megjithatë nuk ka vonuar edhe rregullimi nga ana e operatorit Vala i cili u bëri me dije konsumatorëve duke u kërkuar falje se do të korrigjohen këto fatura të pasakta në një mesazh të dytë: “Të nderuar konsumatorë, kërkojmë falje për gabimin në shumën e cekur për borgj. Së shpejti do të merrni shumën e saktë.”
Ngelet e paqartë arsyeja e kësaj ngjarje dhe sa konsumatorë janë prekur por padyshim këta të fundit u shprehen të irrituar lidhur me situatën. Redaksia e PCWorld.al ka kontaktuar me operatorin i cili akoma nuk ka dhënë përgjigje konkrete.
Vala është operatori lider në tregun e shërbimeve mobile në Kosovë e cila në fund të 2015-tës zotëronte 52.4 % të tregut ndjekur nga IPKO me 37.9 % të tregut. Edhe pse viti i kaluar rezultoi mjaft aktiv për lidershipin dhe konsumatorët e kompanisë, shifrat flasin për një rënie të vazhdueshme ndërsa vitet e fundit kanë dështuar disa procese privatizimi të Telekomit të Kosovës. (PCWorld Albanian)