Lajmet

Versioni më i fundit dhe më i mirë i Android ka mbërritur

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 03 Shtator 2019
0
Versioni më i fundit dhe më i mirë i Android ka mbërritur

Android 10 ose Android Q, apo quajeni si të doni, nga dita e sotme është zyrtar dhe i disponueshëm për të gjithë ata që kanë një telefon Google Pixel.

Por edhe telefonët nga kompani të tjera të cilët kishin mundësi të testonin versionin e fundit të Android, së shpejti do të mund të marrin të finalizuar.

Duke qenë se zhvillimi i Android ndodh përgjatë një kohe të caktuar, versioni final nuk përmban risi të padëgjuara. Me Android 10 shumica e ndryshimeve janë në sfond me përjashtim dy apo tri prej tyre.

Ajo që të gjithë kanë pritur është padyshim “Dark Mode” dhe Android 10 nuk zhgënjen. Ndërfaqja e re është gati për tu përdorur që nga perëndimi i diellit deri në agim.

Jo vetëm që lehtëson barrën që drita e pajisjeve elektronike ushtron mbi sytë tanë, por edhe presionin mbi baterinë e smartfonit nëse keni një të tillë me ekran OLED.

Me kalimin e kohës shumë aplikacione do ta adoptojnë ndërfaqen e errët por për momentin është i limituar. Dark Mode në Android 10 është në nivel sistemi.

Një tjetër ndryshim i madh është përditësimi i gjesteve të navigimit mes aplikacioneve. Gjestet e reja janë opsionale dhe mund të vazhdoni ende të përdorni navigimin me tre butonë në fund të ekranit.

Gjestet e reja të navigimit në Android 10 janë një vazhdim i atyre në Android Pie por më efikase. Tërheqja nga e majta ose e djathta mbi ekran zëvendëson butonin e kthimit pas. Duke mbajtur të shtypur mbi anën e ekranit hapet paneli i navigimit.

Një risi është funksioni “Smart Reply” i cili sugjeron veprime të ndryshme me një njoftim direkt nga paneli i njoftimeve. Nëse një njoftim përmban një link, Smart Reply sugjeron hapjen e tij në Chrome. E njëjta për adresa ku sugjerohet hapja e Google Maps, ose për videot hapja e Youtube.

LEXO EDHE:  Juria e ICT Awards 7 viziton Tiranën dhe Prishtinën, pranë kandidatëve nga mbarë trevat shqiptare

Janë edhe disa opsione të reja privatësie dhe sigurie si shpërndarja e vendndodhjes vetëm kur përdorni një aplikacion si dhe seksioni i ri i privatësisë në Settings i cili ju jep akses mbi menaxhimin e uebit dhe historikut të aplikacioneve.

Gjithashtu me përditësimet e sistemit nga Google Play, kompania tashmë adreson problemet e sigurisë nga Google Play Store dhe jo përmes funksionit të përditësimit të sistemit.

Së fundit priten që në versionet e ardhshme të vinë dy funksione shumë të rëndësishme: Focus Mode dhe Live Caption. I pari bën të mundur të “heshtni” disa aplikacione të caktuara ndërsa i dyti ofron titra për videot dhe audio që luani në telefon. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>