Blog

Vetëm 0.25% e mjeteve në Shqipëri janë elektrike ose hibride

Nga: PCWorld
Publikuar , 05 Nëntor 2021
Aktualisht, edhe Shqipëria aplikon incentive fiskale për automjetet elektrike. Vetëm 0.25% e mjeteve në Shqipëri janë elektrike ose hibride

Shtrenjtimi i naftës po rrit në mënyrë direkte kostot e përdorimit të automjeteve, ndërsa paralelisht bota po përballet me një nevojë gjithnjë e më të shpejtë për të ulur emetimet e gazrave të dëmshëm dhe për të frenuar ngrohjen globale. Në samitin e klimës të zhvilluar këtë javë në Skoci, Presidenti Amerikan dhe Presidentja e Komisionit Europian njoftuan angazhimin e 100 vendeve të Botës për të ulur me 30% emetimet e gazit metan deri në vitin 2030.

Për të ulur kostot, por edhe për shkak të nevojës për të ulur ndikimin negative në mjedis, prej vitesh në botë ka një tendencë drejt përdorimit në rritje të automjeteve elektrike. Mbështetur në të dhënat e Shoqatës Europiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), 20% e automjeteve të shitura në Bashkimin Europian gjatë tremujorit të tretë të këtij viti ishin elektrike ose hibride. Në veçanti, BE-ja është në pararojë të zhvendosjes drejt mjeteve elektrike, madje Komisioni Europiani ka propozuar ndalimin e automjeteve që përdorin karburante fosile duke filluar nga viti 2035.

Për momentin, Shqipëria është shumë larg këtyre tendencave. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se deri në mesin e këtij viti në Shqipëri rezultonin zyrtarisht të regjistruara vetëm 467 mjete elektrike. Ndërkohë, automjetet hibride që, përveç lëndëve djegëse fosile, funksionojnë pjesërisht me energji elektrike, janë pak më shumë se 1 mijë. Gjithsej, automjetet elektrike dhe hibride përbëjnë vetëm 0.25% të numrit të përgjithshëm të automjeteve aktive në Shqipëri.

Aktualisht, edhe Shqipëria aplikon incentive fiskale për automjetet elektrike. Mjetet e reja elektrike mund të importohen pa taksë doganore dhe pa paguar tatim mbi vlerën e shtuar dhe përjashtohen nga taksa vjetore e qarkullimit. Gjithashtu, këto automjete mund të regjistrohen pa kosto fillestare, sepse që në vitin 2019 DPSHTRR ka zeruar tarifat për kontrollin fizik, nxjerrjen e lejes së qarkullimit, nxjerrjen e targave dhe të certifikatës së pronësisë.

LEXO EDHE:  Bie dyqani online i Apple përpara se të fillojnë porositë e iPhone 13

Megjithatë, deri tani këto incentiva nuk kanë pasur një ndikim shumë të madh në rritjen e përdorimit të mjeteve elektrike. Shqipëria ngelet një treg i varfër dhe pjesa dërrmues e flotës së automjeteve në përdorim, rreth 70%, janë më të vjetra se 10 vjet. Rritja e përdorimit të mjeteve elektrike ka gjithashtu nevojë për më shumë promovim, por edhe për zgjerimin e një infrastrukture të nevojshme të pikave të karikimit.

Në rastin e Shqipërisë, automjetet elektrike do të kishin një ndikim domethënës në funksion të uljes së emetimeve të gazrave të dëmshëm, sepse vendi ynë e siguron pjesën më të madhe të energjisë që konsumon nga burime të rinovueshme.

/Monitor