Lajmet

Vijon rritja e shpejtësisë së internetit mobil në Shqipëri, interneti fiks ndër më të ngadaltët në Evropë

Sep 18 2018
0 Shpërndarje
Për sa i përket vendeve fqinje, Shqipëria i ka lënë pas të gjithë fqinjët në sektorin e internetit mobil ndërsa në atë fiks fqinjët vijojnë të renditen më mirë. Vijon rritja e shpejtësisë së internetit mobil në Shqipëri, interneti fiks ndër më të ngadaltët në Evropë

Ashtu si çdo muaj, prej Gushtit të vitit 2017, kompania e njohur Ookla ka publikuar renditjen mujore të  ecurisë së indikatorëve të internetit mobil dhe fiks ku përfshihet edhe Shqipëria.

Duke u bazuar në rankimin mujor të SpeedTest Global Index të muajit Gusht, ndryshe nga një muaj më parë, vendi ynë ndodhet në vendin e 19 për shpejtësinë e internetit mobil.

Pra krahasuar me një muaj më parë, kemi një rënie prej 1 pozicioni por vijojmë të lëmë pas vende  mjaft të zhvilluara si Italia, Franca, Gjermania, SHBA etj.

Sipas raportit, shpejtësia e shkarkimit në Shqipëri nga shërbimi i internetit në celular shkon deri në 39.61 Mbps dhe shpejtësia e ngarkimit deri në 13.67 Mbps, duke kaluar mbi nivelin mesatar në botë që është 22.99 për shkarkim dhe 9.19 për ngarkim.

Nga ana tjetër, sa i përket internetit fiks, Shqipëria ka patur një lëvizje. Megjithëse gjërat nuk kanë qënë aq mirë në frontin fiks, këtë muaj duket se situata ka ndryshuar për mirë duke fituar 3 pozicione nga muaji i kaluar.

Shqipëria renditet në vendin e 92 me një shpejtësi shkarkimi 14.71 Mbps dhe shpejtësi ngarkimi 8.26 Mbps kur mesatarja globale është respektivisht 47.83 Mbps dhe 23.02 Mbps.

Për sa i përket vendeve fqinje, Shqipëria i ka lënë pas të gjithë fqinjët në sektorin e internetit mobil ndërsa në atë fiks fqinjët vijojnë të renditen më mirë.

Konkretisht në internetin mobil Serbia ka një shpejtësi mesatare interneti prej 35.66 Mbps, Greqia 34.00 Mbps, Maqedonia 33.90 Mbps dhe Mali i Zi prej 30.44 Mbps.

Në internetin fiks, Serbia ka një shpejtësi mesatare prej 31.95 Mbps, Mali i Zi 24.11 Mbps, Maqedonia 23.10 Mbps dhe Greqia prej 16.85 Mbps.

Në rang global, Singapori është sërish vendi me shpejtësinë më të lartë mesatare të internetit fiks prej 189.38 Mbps. Norvegjia është vendi me shpejtësinë më të lartë mesatare të internetit mobil prej 63.13 Mbps. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>