Lajmet

Vodafone Albania, 30 milion lekë për shkollën e Gërdecit

Publikuar , 21 Maj 2010
0
Vodafone Albania, 30 milion lekë për shkollën e Gërdecit

Kompania Vodafone Albania përmes fondacionit të saj kontribuoi në shumën prej 30 milionë lekësh të reja për të bërë rikonstruktimin e plotë të godinës, instalimet e ngrohjes qendrore, ujit dhe sistemit të daljeve të emergjencës.

Ky financim përfaqëson dhe investimin më të madh që një biznes i vetëm dhuroi në përgjigje të nevojave të komunitetit të prekur nga fatkeqësia; një investim që ndihmon çdo familje të asaj zone; një vepër që jo vetëm është për brezin që sot edukohet e arsimohet, por do shërbejë për brezat e ardhshëm gjithashtu.

Një prej sukseseve të gjeneruara nga ky investim ishte dhe mbështetja e tij prej një numri të madh donatorësh që ofruan kontributin e tyre në aspekte të ndryshme me ndikim të rëndësishëm për cilësinë e të mësuarit për fëmijët e Gërdecit.

Një sërë organizmash të tjerë kontribuan në rregullimin e ambienteve të veçanta dhe në ofrimin e pajisjeve mësimore.

Prezenca e OSBE-së kontribuoi për pajisjen me mjete të nevojshme të disa klasave, veçanërisht laboratorin e kompjuterëve dhe klasën e grupit parashkollor.

Ambasada franceze mori përsipër pajisjen me mjete didaktike e materiale të tjera, Qendra Rajonale e Mjedisit kontribuoi në realizimin e laboratorit të biologjisë si dhe pajisjen me koshat për mbeturinat.

Kontribues në përmirësimin e ambienteve të shkollës ishin dhe një sërë organizmash e fondacionesh të tjera vendase dhe të huaja. Javën e shkuar në mjediset e shkollës 9-vjeçare të Gërdecit, tashmë funksionale, moderne, dhe model për çdo shkollë tjetër ne Shqipëri, personeli i shkollës organizoi një ceremoni të veçantë në mirënjohje të donatorëve që mundësuan rikonstruktimin e plotë dhe pajisjen me ambiente bashkëkohore mësimi në këtë shkollë.

Përfaqësuesit e shkollës dhe të donatorëve që ishin të pranishëm në ceremoni vlerësuan reagimin civil të të gjithë shoqërisë shqiptare, përfshirë bizneset dhe organizmat e tjerë joqeveritarë në mbështetje të banorëve të dëmtuar nga tragjedia e dy viteve më parë.

LEXO EDHE:  Ky telefon ka dy ekrane dhe kushton 460 dollarë

Lajmet e fundit>