Lajmet

Wikiakademia Shqiptare, projekt për të rritur sasinë dhe cilësinë e materialeve shqip në Wikipedia

Publikuar , 21 Janar 2014
Wikiakademia Shqiptare, projekt për të rritur sasinë dhe cilësinë e materialeve shqip në Wikipedia

WikiAkademia-Shqiptare-homepageWikipedia është portal i rëndësishëm dijesh të shpejta të cilin e aksesojmë pothuajse përditë, sa herë kemi pyetje. Instiktivisht, shumica prej nesh i kërkojnë materialet kryesisht në gjuhën angleze, duke anashkaluar gjuhën tonë amtare, e cila fatkeqësisht ka një numër të kufizuar artikujsh në këtë enciklopedi. Deri tani Wikipedia në shqip numëron 50.264 artikuj dhe duke qenë enciklopedi e shkruar nga vullnetarë të pasionuar pas dijes së hapur, ajo ka nevojë për përmirësim nga të gjithë për të arritur në nivele më të larta si nga ana cilësore ashtu edhe nga ajo sasiore.

Për këtë ka menduar OpenLabs, qendra e komunitetit shqiptar promovues të teknologjive dhe kulturës open source, të cilët kanë krijuar një projekt që mban emrin “Wikiakademia Shqiptare”, në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Tetovës. Synimi i tij është përmirësimi i cilësisë së përmbajtjes së informacionit shqip në Wikipedia si dhe përmirësimi sasior i artikujve shqip. Projekti ka për qëllim të bashkojë qytetarë aktivë dhe ekspertë të teknologjive open source, me qëllim zhvillimin e shkrimit të artikujve për Shqipërinë në kategori të tilla si arti, trashëgimia, çështjet sociale, kultura, gjeografia, turizmi, ekonomia etj.

WikiAkademia_Shqiptare_Tetove_dec_2013_gjimnazi_Kiril_PejçinoviqFormati i këtij projekti konsiston në zhvillimin e prezantimeve në qytete të ndryshme të trevave shqipfolëse, me qëllim aktivizimin e të rinjve dhe ekspertëve të projektit të dijes së hapur Wikipedia. Deri tani janë bërë prezantime në qytete si Tetova, Durrësi dhe Elbasani, në universitete, gjimanze, madje edhe në shkolla 9-vjeçare të këtyre zonave. Në javët në vazhdim eventet do të mbahen në qytetin e Vlorës dhe Tiranës.

Prezantimet e para kanë filluar në Universitetin e Tetovës. Duke qenë një bashkëpunim, koordinatori i USHT-së në këtë projekt, Festim Halili, tha para të pranishmëve se qëllimi i WikiAkademisë shqiptare dhe i turneut që përfaqësuesit e saj realizojnë në vendet ku flitet dhe mësohet shqip është që të përmirësojë cilësinë dhe sasinë e përmbajtjes së informacionit të hapur. Ndërkohë, Greta Doci nga Shoqata Open Labs prezantoi para studentëve mundësitë se si të regjistrohen në WikiAkademinë Shqiptare, si të bëjnë redaktimet në tekste, si të hapin llogaritë në Wikipedia dhe më pas të aktivizojnë llogaritë e tyre dhe të jenë pjesë e Wikipedia-s. Ajo i njoftoi studentët edhe me mënyrën se si ata duhet t’i redaktojnë shkrimet e tyre dhe si t’i plotësojnë ato me informacione shtesë nëse shohin mangësi në ndonjë temë.

LEXO EDHE:  Konsola e Nintendo që po thyen rekordet e popullaritetit

Ky projekt ka si qëllim pasurimin e Wikipedia-s me artikuj shqip nga vullnetarët

DSC02772“Wikipedia u regjistrua për herë të parë më 15 janar të vitit 2001. Pra, kemi rreth 13 vjet që kjo enciklopedi ekziston dhe për shumë pak vite ajo u zhvillua në mënyrë shumë të shpejtë. Ka 77 mijë kontribuues aktivë dhe këta të gjithë janë vullnetarë, asnjë nuk paguhet, mirëpo çdo ditë kontribuojnë në këtë drejtim, dhe ne, për këtë duam t’i nxisim edhe studentët tanë që ta pasurojmë sa më shumë Wikipedia-n shqiptare edhe ne duke kontribuar vullnetarisht në këtë drejtim, sepse për momentin Wikipedia ka mbi 22 milionë artikuj, në mbi 285 gjuhë të ndryshme”, thotë Redon Skikuli, përfaqësues i Open Labs si dhe anëtar i projektit.

Gjatë aktiviteteve, të pranishmit kanë mundësi të përzgjidhen për të provuar regjistrimin si përdorues, krijimin, shkrimin dhe modifikimin e një artikulli. Ata mund të shohin gjithashtu veçantitë e Wikipedia-s,

që nga menutë e deri tek historiku i një artikulli. Një rëndësi e veçantë i jepet edhe referencave të cilat ndihmojnë në ruajtjen e të drejtës së autorit, në dhënien e informacioneve shtesë për ata që duan të lexojnë më shumë rreth temës etj.

DSC02618Në eventet e kaluara ka rënë në sy veçanërisht edhe interesi i nxënësve të dalluar të cilët kanë shprehur dëshirën për të kontribuar në shkrimin dhe përshtatjen e artikujve në shqip, njëkohësisht edhe entuziazmi i mësuesve për t’i dhënë nxitje kësaj nisme drejt të bërit realitet. Prezantimet e realizuara deri tani kanë qenë mjaft aktive dhe kanë gjetur interesin e gjithë studentëve dhe nxënësve, të cilët nuk kanë munguar me pyetjet e tyre drejtuar stafit edhe pas përfundimit të seancës.

LEXO EDHE:  Autoritetet Franceze i tremben telefonëve 5G në fluturimet ajrore

Aktiviteti i parë në Durrës është mbajtur në Universitetin Aleksandër Moisiu, në Fakultetin e Edukimit. Falë aprovimit dhe sugjerimit të drejtuesve, aktiviteti kishte një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish të cilët ishin mjaft të interesuar për këtë projekt inovator në trevat mbarëshqiptare. Përvec universiteteve dhe shkollave të mesme, rreth Wikipedia-s pati interes dhe në shkollat 9-vjeçare. Njëra prej tyre ishte shkolla 9-vjeçare “Jusuf Puka”, ku nxënësit ishin relativisht të interesuar dhe nisma u prit me entuziazëm edhe nga mësueset e shkollës. Gjatë seancave të zhvilluara në këtë shkollë, nxënësit krijuan dhe e redaktuan një artikull për shkollën e tyre.

Ndërkohë, në aktivitetin e parë të mbajtur në Elbasan, në gjimnazin Kostandin Kristoforidhi, numri i pjesëmarrësve ishte i konsiderueshëm dhe seanca e prezantimit u krye dy herë. Edhe në gjimnazin Ahmet Dakli, mësuesit e shkollës, që ishin të pranishëm, mirëpritën anëtarët e Open Labs dhe iu dhanë atyre hapësira për të folur dhe nxitur nxënësit mbi projektin.

Në javët në vazhdim do të mbahen evente në Vlorë dhe Tiranë. Gjatë tyre do të prezantohet Wikipedia dhe rëndesia e projektit për kulturën dhe gjuhën shqipe, do të bëhen prezantime të projektit WikiAkademia Shqiptare si dhe do të organizohen workshop-e me të pranishmit. Për të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen projektit si vullnetarë, akademikë, organizata, kompani apo si organ i pushtetit lokal ose qëndror, Wikiakademia i fton të gjithë të vizitojnë faqen zyrtare për t’u regjistruar në eventet e radhës. (PCWorld Albanian)