Vëzhgim

Windows 7: Të virtualizosh XP-në me një procesor Intel është si të luash ruletë

Publikuar , 08 Shkurt 2010
0
Windows 7: Të virtualizosh XP-në me një procesor Intel është si të luash ruletë

Pyetja më e shpeshtë në këto raste është: “A mund ta instaloj në kompjuterin tim?”, por përgjigjja, siç do ta zbuloni, nuk është aq e thjeshtë dhe koncize.

Një Windows brenda tjetrit
Nga njëra anë, kërkesat e Windows 7 janë pothuajse identike me ato të Vista-s, në shumë raste ai është ndjeshëm më i shpejtë. Nga ana tjetër, Microsoft-i ka lajmëruar se Windows 7 final do të përfshijë një kopje të Windows XP, në mënyrë që të ruajë kompatibilitet me programet më të vjetra. Kopja e XP-së do të hapet brenda sistemit operativ mëmë për të ekzekutuar të gjitha ato programe të cilat nuk ekzekutohen apo kanë probleme. Asgjë e re deri këtu, programe të ndryshme kryejnë funksione të ngjashme, duke hapur Vista-n nga një Mac OS etj., nëpërmjet virtualizimit.

Mënyra më e tërthortë është nëpërmjet një programi që bën të mundur ekzekutimin paralel të dy sistemeve. Një mënyrë më elegante dhe shumë më e shpejtë është përdorimi i një seti të posaçëm instruksionesh me të cilin janë pajisur shumë procesorë modernë dhe është pikërisht ky implementimi i zgjedhur nga Microsoft-i.

Virtualizimi – dje dhe sot
Si Intel ashtu dhe AMD kanë zhvilluar setet e tyre të pavarura të instruksioneve të virtualizimit për të bërë të mundur ekzekutimin e dy sistemeve operative paralelisht, në të njëjtin sistem fizik. Kompania e parë nën emrin VT-x dhe e dyta me AMD-V mundësuan rritjen e madhe të performancës së virtualizimit duke zvogëluar ndjeshëm bllokimet e programimit krahasuar me metodën emulative të programeve, që ishte një hap i madh në fushën e serverëve, ku kjo teknologji përdoret gjerësisht.
Edhe procesorët standardë për desktop u pajisën me këtë teknologji, megjithëse shumë pak përdorues e shfrytëzonin atë. Megjithatë, shpallja e tiparit të ri të Windows 7, integrimit të XP-së, e bën virtualizimin një ndër tiparet kyçe të procesorit për të shfrytëzuar në maksimum sistemin e ri të Microsoft-it. Nga një tipar i papërfillshëm, virtualizimi në nivel hardueri kthehet sot në një opsion të domosdoshëm për të ekzekutuar një pjesë të mirë të Windows-it të ri.

LEXO EDHE:  Galaxy S10, 5G, ekrane me palosje: Ja sesi Samsung do të rikthejë besimin tek smartfonët

Çështje procesori
Kompania e parë me modelin e saj të instruksioneve të virtualizimit ishte Intel, e cila pas implementimit në pjesët e serverit, pra procesorët Xeon, pajisi me këto instruksione në fillim disa Pentium 4 të serisë 600 dhe Pentium D të serisë 900. AMD ndoqi shembullin rreth një vit më vonë, në vitin 2006, me platformën (atëherë të re) AM2; të gjithë procesorët, përveç kategorisë më ekonomike Sempron, filluan të pajisen me instruksionet analoge AMD-V.
Ndërkohë që AMD, ashtu si për instruksionet 64 bit, zgjodhi të aplikonte virtualizimin në mënyrë të njëtrajtshme, duke lënë jashtë vetëm procesorët më pak performues, gjërat këtu fillojnë të ngatërrohen pak për Intel; implementimi i VT-x në listën e procesorëve të kompanisë i ngjan më shumë një zigzagu sesa një aplikimi uniform dhe nëse procesori juaj Intel ka apo jo VT-x, është pak si të keni luajtur ruletë. Në fakt, ashtu si me implementimin e instruksioneve x64, Intel ka luajtur me VT-x duke e aktivizuar dhe çaktivizuar atë sipas qejfit në seri të ndryshme, duke lënë pa të edhe seri të reja e të rëndësishme si seria Q8000 e procesorëve quad core (për listën e plotë shiko tabelën).

Nuk ka asnjë arsye të dukshme pse Intel ka luajtur me një tipar të tillë në këtë mënyrë. Në fakt, instruksionet janë të pranishme në një arkitekturë të caktuar procesorësh dhe t’i çaktivizosh ato në disa prej tyre është mundim dhe shpenzim më i madh se t’i lësh; dhe kur kjo bëhet pa kriter performance apo kategorie, ka akoma më pak kuptim. Shumë shpejt pas lajmit të ‘vrimave’ në mbështetjen e virtualizimit, Intel paraqiti një listë të re me procesorë ekonomikë që do të suportojnë këtë opsion, por kjo vlen vetëm për ata që do blejnë një sistem të ri. Ata që e kanë blerë mundet vetëm të konstatojnë nëse mund ta virtualizojnë XP-në. Të zhgënjyerit këtu do jenë kryesisht ata të serive më të lira, por lista përmban gjithashtu shumë dual core dhe disa quad core, fat të mbarë!

LEXO EDHE:  Kina mendon se Inteligjenca Artificiale tek armët luftarake është kërcënim për paqen globale

Me apo pa suport, Windows 7 mbetet një sistem i shkëlqyer, me shumë tipare të reja dhe veçori ende për t’u zbuluar. Prania apo jo e virtualizimit në procesorin tuaj është një kërkesë e domosdoshme për funksionin në fjalë dhe do bëjë të mundur apo të pamundur hapjen e Windows XP brenda sistemit, por nuk do të ndikojë në asnjë proces tjetër të palidhur me të.

Lajmet e fundit>