Lajmet

Z Mobile nën hetime

Publikuar , 01 Korrik 2010
0
Z Mobile nën hetime

Gjatë muajve të fundit, Misioni EULEX ka qenë duke hetuar kontratën e Postës dhe Telekomit të Kosovës të lidhur me Dardaphone, nga e cila më vonë lindi operatori virtual Z Mobile. Sipas Express Online EULEX ka në tërësi dosjen rreth kësaj çështjeje dhe është duke pyetur protagonistët e kësaj kontrate.

Para se të nënshkruhej kontrata, vetë ekspertët e postës, të cilët njëherësh janë edhe drejtorët kryesor të saj, kanë përpliuar një raport kundër kontratës. Duket se ky raport ka qenë bërthama e të gjitha hetimeve të EULEX-it.

Pavarësisht se ekspertët u deklaruan kundër, sipas Express, bordi i PTK-së me në krye Rexhë Gjonbalajn, e ka cilësuar këtë projekt të mirë dhe në favor të Valës.

Për sa i përket hetimeve, ato i ka konfirmuar edhe shefi i PTK-së, Shyqri Haxha, i cili deklaroi për Express se para disa muajsh EULEX ka qenë në zyrën e tij dhe ka marrë të gjitha dosjet e projektit apo kontratës së Dardaphone, tash Z Mobile

Kurse EULEX nuk ka dashur të komentojë diçka në lidhje me rastin. “EULEX’i nuk mund të japë informacione nëse është nën hetime ndonjë person apo organizatë”, tha zëdhënësja e EULEX, Kristiina Herodes.

Grupi i ekspertëve të PTK-së, në përbërje prej shtatë drejtorëve, në raportin e tyre për këtë kontratë, e patën kundërshtuar ashpër, në të gjitha pikat.

“Në mënyrë unike, Grupi vendos: Oferta finale e Dardafon LLC, e datës 8.10.2008, me përqindje 22 % (PTK), – 78 % (Dardafon), nuk ka arsyeshmëri strategjike, e aq më pak komerciale për PTK-në nga arsyet e prezantuara në këtë raport”.

Raporti i është dërguar Bordit të PTK-së, por, pa marrë parasysh këto vlerësime, Bordi vendosi ndryshe. Grupi në atë kohë shprehu shqetësimet për ndarjen e të hyrave të përgjithshme, pasi që edhe iu pamundësua kontrolli real i të hyrave, të cilat eventualisht do t`i deklaronte MVNO-ja.

LEXO EDHE:  Galaxy S10, Samsung jep datën e prezantimit

“Modeli i kostos së çmimit për njësinë e produktit Vala, vënë në fakt se me përpjesëtimin e ndarjes së prezantuar në draftmarrëveshjen e MVNO-së, gjeneron zvogëlim të hyrave për Valën, ndërsa në disa kategori gjenerojnë humbje”, është thënë në raportin e Grupit për kontratën me Dardafonin – Z Mobilen. Në analizën e tyre, PTK-ja do të gjenerojë humbje të pashmangshme, pasi që modeli i përzgjedhur për MVNO-në nuk obligon operatorin virtual të llogaritë të hyrat totale të muajit, por të hyrat e inkasuara, duke përjashtuar borxhet e këqija.

Ekspertët i patën sugjeruar Bordit që të rishqyrtojë procesin e iniciuar të projektit MVNO dhe urgjentisht të analizojë se çka dëshiron PTK-ja të arrijë me të, duke analizuar në detaje strategjinë e lëvizjes përpara. Po ashtu, sipas Grupit, PTK-ja duhet të ketë parasysh obligimet e kontraktuara me Monaco Telekom International, si dhe kontratat relevante me furnizuesit e pajisjeve dhe ato të mirëmbajtjes.

Lajmet e fundit>