Lajmet

Zbatimi i kodit shtetëror telefonik të Kosovës, operatorët nuk përmbushin afatet

Publikuar , 24 Tetor 2018
0
Telefonia mobile Vala shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386) për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve. Zbatimi i kodit shtetëror telefonik të Kosovës, operatorët nuk përmbushin afatet

Edhe pse kodit telefonik shtetërore +383 i është hapur rruga për implementimin e tij, ky proces po rezulton më i vështirë sesa ishte menduar në fillim.

Kodi duhej të ishte funksional tashmë prej 4 muajsh, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Sipas Gazetës Zëri bordi i autoritetit të komunikimeve elektronike ARKEP ende nuk ka marrë një vendim dhe me 31 Tetor mbyllet afati i fundit i implementimit.

Telekom i Kosovës e konsideron sfidë implementimin e kodit brenda këtij afati

“Telekomi i Kosovës është duke punuar në vazhdimësi për implementimin e kodit të ri sipas planit të migrimit. Mirëpo duke marrë parasysh se ky implementim nuk varet vetëm nga resurset teknike të Telekomit të Kosovës, por varet edhe nga asistenca teknike e partnerëve ndërkombëtarë, tash për tash është e pamundur të parashikohet përmbushja e afatit të caktuar kohor nga ana e ARKEP-it”, deklarojnë në Telekomin e Kosovës.

Në fillim të Tetorit operatorët e telefonisë kërkuan shtyrjen e zbatimit të kodit dhe këtë ja kanë komunikuar edhe ARKEP.

Kodi Shtetëror u mor në Dhjetor të 2016-ës nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit.

Ishte vendosur që më 30 Qershor të ishte në funksion por u shty në 31 Tetor pas kërkesave të Vala dhe IPKO.

Shkak për këtë nuk janë vetëm resurse teknike të operatorëve por edhe marrëdhëniet me partnerët e jashtëm.

Por, Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e marrëveshjeve ndërkombëtare është kompetencë e operatorëve të telefonisë mobile.

Telefonia mobile Vala shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386) për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Të dhënat e zyrtare tregojnë se kostoja e përgjithshme e shkaktuar deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 220 milionë euro. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Shkatërrimi i PTK-së, intervistohet ish-kryeshefi Shyqeri Haxha

Lajmet e fundit>